Përplasjet për emërimet e drejtorëve të rinj/ Rama mbledh sot anëtarët e PS Shkodër
Kryeministri Edi Rama mbledh sot në selinë rozë deputetë dhe anëtarë të PS Shkodër.
Kriza politike në Shkodër po mban mbërthyer disa hallka funsionuese dhe drejtuese në këtë bashki, duke nisur që nga posti i kryebashkiakut, që vazhdon të mbahet nga kryetarja në ikje Voltana Ademi.
Ndërkohë që procesi i emërimit të drejtorëve rajonalë tashmë është marrë në dorë nga vetë kryeministri Edi Rama, duke qenë se ngritja e dy komisioneve që do të merrej me këtë çështje u kontestua vazhdimisht nga të gjitha palët duke sjellë debate të shumta në parti.
Deputeti Paulin Sterkaj u shpreh në mbledhje e drejteusve të veriut se çështja e emërimit të drejtorëve të rinj është kthyer në tender pasi secili propozon emrat e tij.
Ndërsa pak ditë më parë deputeti socialist Arben Pëllumbi deklaroi pas mbledhjes me tone të ashpra, se me vendim të kryesisë të PS-së është shkrirë struktura drejtuese e PS në Shkodër.
Ai tha se presidenti Ilir Meta duhet të caktojë një datë për zgjedhje të parakohshme në Shkodër.
Partia Socialiste ngriti dy komisione (një prej të cilëve qytetar) për zgjedhjen e drejtorëve të rinj në qarkun e Shkodrës. Ngritja e komisioneve erdhi pas largimit të Valdrin Pjetrit nga posti i koordinatorit politik të Shkodrës pas akuzave që PD ngriti ndaj tij për fshehje të dënimit në Itali në formularin e dekriminalizimit.
Rama udhëroi dorëheqjen e të gjithë drejtorëve burra ndërsa deklaroi se për disa nga gratë do të rishikohet pozicioni. Kreu i qeverisë u shpreh se këto ndryshime nuk bëhen për shkaqe personale por bëhen për të krijuar një imazh të ri të PS në Shkodër.