Përse i duhen 3 muaj ARRSH-së për të vënë ca llamba në Tiranë-Durrës?
Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Policia e Qarkullimit Rrugor dolën sot me një njoftim të përbashkët për shtyp ku informuan se për afro tre muaj, duke nisur nga nesër dhe deri në pikun e sezonit turistik (17 korrik), superstrada Tiranë-Durrës do të bllokohet çdo ditë që nga ora 08.00 e mëngjesit, sepse siç deklaron, do të riparohen ca ndriçues.
Përse superstrada Tiranë-Durrës duhet të bllokohet afro tre muaj rresht, pikërisht tani, për të riparuar ndriçuesit? Përse këto punime ndriçimi nuk u bënë gjatë vjeshtës, dimrit apo pranverës? Përse tani, që sapo ka nisur sezoni turistik? Për më tepër që nuk bëhet fjalë për shtrim, asfaltim apo riparim të rrugës por riparim ndriçimi.
E nëse vëzhgojmë më shumë, konstatohet lehtësisht se ndriçimi në këtë aks rrugor, nga dogana e deri në Rinas, është funksional. Ndriçimi mungon por jo në këtë segment rrugor. Ai mungon tërësisht që nga Vora e deri në Durrës. Atëherë përse nuk pajiset kjo pjesë e rrugës me sistem ndriçimi, por bëhet ndërhyrje kaq e gjatë aty ku është funksional?
Mos vallë plani është që policia të vihet përballë protestave dhe tubimeve opozitare që rinisin nga 11 maji? Mbetet të shohim se çfarë do të ndodhë por një gjë është e sigurt, plani i ARRSH dhe Policisë Rrugore shkakton një varg pikëpyetjesh! /NOA/
KOHA JONË SONDAZH

