Përshkallëzohet protesta, studentët hedhin vezë dhe bidona drejt Ministrisë
Studentët e Universiteti të Tiranës dhe të Politeknikut, po protestojnë përpara Ministrisë së Arsimit, për të kërkuar anulimin e tarifës për provimet e prapambetura.
Protesta nisi në Universitet rreth orës 09:30 dhe më pas ata marshuan drejt Ministrisë së Arsimit, ku i bëjnë thirrje ministres së Arsimit Lindita Nikolla “Të anulojë vendimin”.
Ata kanë hedhur vezë, lapsa, stilolapsa, bidona, karrige dhe letra drejt godinës së ministrisë. “Jam student që nuk frikësohem/ Rezistenca nuk ndalohet”,-thërrasin studentët me megafon duke shtuar se nuk do largohen pa u takuar me ministren dhe kjo e fundit të anulojë vendimin. Studentët kanë bllokuar edhe rrugën përpara ministrisë së Arsimit.
“Duhet të paguajmë 650 lekë për çdo kredit të prapambetur. Është hequr mundësia për të paguar tarifën vjetore me këste”, kanë deklaruar studentët.
Kërkesat e studentëve
Prej dy ditësh studentët e Inxhinierisë së Ndërtimit, Mjekësisë dhe Akademisë së Arteve kanë bojkotuar mësimin duke protestuar para ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Protesta nisi nga studentët e Inxhinierisë së Ndërtimit, të cilën marshuan nga fakulteti i tyre drejt ministrisë, ndërsa tubimit iu bashkuan edhe studentët e fakulteteve të tjera.
Shkak për protestën e studentëve është bërë vendimi i datës 21 maj 2018, që sanksionon se të gjithë studentët që ndjekin studimet në institucionet publike të arsimit të lartë janë të detyruar t’i nënshtrohen tarifës së shkollimit për kreditet në lëndët përsëritëse, teksa vijojnë studimet në vitin pasardhës.
Përveç kërkesës për heqjen e pagesës 670 lekë për cdo kredit për provimet e mbartura, studentët gjithashtu kërkojnë që pagesa për tarifën e shkollës të bëhet në janar si cdo vit dhe jo brenda 15 dhjetorit. Studentët kanë firmosur edhe një peticion, ndërsa vijojnë protestën duke kërkuar anulimin e vendimit. Protesta e studentëve para ministrisë së Arsimit dhe Sportit ka sjellë bllokimin e qarkullimit në Rrugën e Durrësit.
KOHA JONË SONDAZH

