Personalitete të njohura ndërkombëtare nderohen me titullin ”Doctor Honoris Causa”
Në Tiranë u organizua sot ceremonia solemne e dhënies së titujve “Doctor Honoris Causa” për personalitete të njohura ndërkombëtare të së drejtës, akademisë dhe artit. Në këtë ceremoni, të mbajtur në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit nga universitetet shqiptare dhe World Law Foundation, është i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama. Në nisje të ceremonisë rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha i dorëzoi titullin “Doctor Honoris Causa”, presidentit të Shoqatës Botërore të Juristëve, Javier Cremades.
Senati akademik i Universitetit të Tiranës në bazë të propozimit të paraqitur nga Fakulteti i Drejtësisë i jep Javier Cremades titullin “Doktor Honoris Causa”, me motivacionin: “Për kontribut të shquar në forcimin e shtetit të së drejtës promovimin e të të drejtave të njeriut, avancimin në bashkëpunimin juridik ndërkombëtar për përkushtimin e tij të vazhdueshëm dhe vizionin e qartë në përforcimin dhe konsolidimin e vlerave demokratike dhe në ndërtimin e institucioneve të qëndrueshme për rolin e tij të spikatur në fuqizimin e dialogut ndërkombëtar dhe në afirmimin e parimeve të drejtësisë dhe lirisë, si dhe për ndikimin e tij të veçantë në arenën ndërkombëtare dhe kontributin e çmuar në promovimin e Shqipërisë dhe në mbështetjen e proceseve të saj të forcimit të institucioneve dhe zhvillimit të demokaracisë”.
Duke falënderuar për marrjen e titullit “Doctor Honoris Causa”, Cremades u ndal tek perspektiva europiane e Shqipërisë. “Të gjithë qytetarët shqiptarë janë entuziastë për demokracinë dhe po përpiqen shumë, ju keni një ëndërr, ju doni të jeni pjesë e BE-së. Ju po krijoni, po bëni diçka të fuqishme, sepse doni të transformoni vendin tuaj që ka qenë nën regjimin totalitar dhe doni t’i tregoni botës se tashmë jeni një vend demokratik. Po e bëni këtë, po punoni shumë”, tha ai. Cremades u shpreh se “në Shqipëri kemi dy fokuse: të ndihmojmë brezat e rinj për shtetin e së drejtës, të mbajmë shpirtin gjallë dhe të përpiqemi që të mbrojmë trashëgiminë e të gjithë atyre brezave që kanë punuar shumë. Pika e dytë është të promovojmë dhe fuqizojmë gjithçka që bëhet këtu në Shqipëri”.
KOHA JONË SONDAZH

