Personat me aftësi të kufizuar në Shqipëri e kanë të pamundur të gjejnë një punë

Legjislacioni shqiptar vendos detyrime konkrete për punëdhënësit në sektorin publik dhe atë privat, në drejtim të punësimit të personave me aftësi të kufizuar.

Megjithatë, të dhënat e mbledhura nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative, BIRN, dhe Zëri i Amerikës , tregojnë se ligji nuk zbatohet – jo vetëm nga kompanitë private por edhe institucionet publike.

Personat me aftësi të kufizuar në Shqipëri kanë dy herë më tepër gjasa të mbeten jashtë forcës së punës, për shkak të mosrespektimit të ligjit nga institucionet shtetërore dhe kompanitë private.

Andit Cani shkon 2-3 herë në javë në zyrat e Bashkisë së Gramshit, edhe pse nuk punon aty. 32 – vjeçari i diplomuar për gazetari dhe komunikim, zotëron gjithashtu një diplomë të nivelit Master në marrëdhënie me publikun.

“Kam takuar kryetarin e ri të bashkisë, që në kohën që ka qenë kandidat, dhe më premtoi që do ta merrte në konsideratë problemin tim,” tha Cani, i cili prej tre vitesh kërkon një vend pune.

“Në vitin 2016 kam dërguar kërkesë pranë Bashkisë Gramsh. Unë jam informuar dhe në këtë qytet nuk ka mbaruar askush këtë degë. Ata më thanë je jashtë profilit, do shohim strukturën në 2017-ën, në 2017 më thanë ‘do shikojmë strukturën në 2018’, e kështu me radhë,” shtoi Cani, i cili përket komunitet të personave që nuk shikojnë.

Legjislacioni shqiptar vendos detyrime konkrete për punëdhënësit në sektorin publik dhe atë privat, në drejtim të punësimit të personave që i përkasin kësaj kategorie. Megjithatë, të dhënat e mbledhura nga BIRN nëpërmjet kërkesave për të drejtë informimi nga ministritë e linjës dhe bashkitë kryesore në vend, tregojnë se ligji nuk zbatohet.

Inspektorati Shtetëror i Punës pranon se ligjet nuk zbatohet as nga nga kompanitë private, ndërkohë që shtoi se edhe vendosja e masave administrative ndaj punëdhënësve, që nuk e plotësonin detyrimin për të punësuar persona me aftësi të kufizuar, ka qenë e pamundur.

Ekspertët dhe aktivistë për të drejtat e punës për personat me aftësi të kufizuara ankohen se qeveria bën shumë pak për t’i siguruar qasje dhe qëndrueshmëri kësaj kategorie sociale vulnerabël në tregun e punës.

Ato kërkojnë plotësimin e kuadrit rregullator me aktet nënligjore dhe trajnimin e inspektorëve të punës për zbatimin e legjislacionit, ndërkohë që nënvizojnë se qeveria duhet të krijojë kushte tw favorshme për bizneset dhe kompanitë që punësojnë persona me aftësi të kufizuara dhe të investojë më shumë në shkollim e tyre.

Ndërkohë, Bashkia e Gramshit i tha BIRN se edhe këtë vit në strukturën e këtij institucioni nuk kishte vende të lira pune, që i përgjigjeshin profilit akademik të Andit Canit.

“I kemi shqyrtuar por duhet parë edhe profili i arsimit, kjo sepse pozicionet e punës duhet të përshtaten me profilin e arsimit,” tha Joana Zani, përgjegjëse e burimeve njerëzore në Bashkinë Gramsh. “Gjithsesi në strukturën e vitit 2020 pritet që të parashikohen disa vende për t’iu përgjigjur disa personave për punësim,” shtoi ajo.

Shteti shkel ligjin

Sipas një publikimi të Institutit Kombëtar të Statistikave, INSTAT, me titull “Profili i personave me aftësi të kufizuar në Shqipëri”, 6.2% e popullsisë në moshë madhore në vend ka deklaruar se ka të paktën një aftësi të kufizuar, ndërkohë që ata kanë dy herë më tepër gjasa të jenë jashtë forcës së punës sesa personat e tjerë. Sipas të njëjtit dokument, 1 në 5 të rinj (15-24 vjeç) me kufizime në shikim është në kërkim të punës, por e kanë të pamundur të gjejnë një të tillë.

“Për nga numri i personave me aftësi të kufizuar, punësimi i tyre është thuajse inekzistent,” thotë për BIRN Sinan Tafaj, ish-kryetar i Këshillit Kombëtar të Personave me Aftësi të Kufizuar. Sipas një studimi të kryer nga Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë, vetëm 5% e personave të kësaj kategorie janë të punësuar në vend.

Kryetari i Shoqatës së Personave me Dëmtime të Shtyllës Kurrizore të Shqipërisë, Sokol Murataj shprehet se edhe për këtë kategori personash me aftësi të kufizuar, punësimi është kthyer në një makth.

“Për fat të keq, situata e punësimit në Shqipëri për paraplegjikët, por dhe për grupet e tjera veçanërisht të verbërit, është mjaft problematike,” tha ai.

Sipas ligjit “Për nxitjen e punësimit”, çdo punëdhënës duhet të punësojë një person që i përket kategorisë së personave me aftësi të kufizuar në çdo 25 punonjës të parë dhe nga një person shtesë për çdo 50 punonjës të tjerë të ndërmarrjes. Por të dhënat e mbledhura nga BIRN tregojnë që ky detyrim nuk respektohet as nga institucionet publike dhe as nga kompanitë private.

Në 7 ministri të linjës ku BIRN arriti të siguronte të dhëna, kishte vetëm 9 persona me aftësi të kufizuara të punësuar mes mijëra punonjësve. Tre nga këto institucione – Ministria e Kulturës, Ministria e Mjedisit dhe Ministria e Drejtësisë, pa përfshirë institucionet në varësi, nuk kishin të punësuar asnjë person me aftësi të kufizuar. Edhe pse këto ministri kanë bërë qindra punësime gjatë dy viteve të fundit, periudhë gjatë së cilës ka qenë në fuqi ligji “Për nxitjen e punësimit”, kuotat për punësimin e personave me aftësi të kufizuara nuk janë respektuar.

Pasi dëgjoi thirrjen e kryeministrit Edi Rama në janar të këtij viti, Kristiana Sterjo vendosi të aplikojë në platformën e punësimit të studentëve ekselentë në administratën shtetërore. Në moshën 6-vjeçare, Kristiana u diagnostikua me leuçemi, çka e detyroi t’i nënshtrohej terapisë që e shëroi nga sëmundja, por i shkaktoi efekte anësore, duke e lënë në karrocë me rrota. Megjithë vështirësitë me të cilat e ka përballur jeta, ajo ka përfunduar studimet për të Drejtë Civile dhe Tregtare me mesatare 9.3, por fatkeqësisht nuk arriti të shpallej fituese, pasi kuotat e punësimit që parashikohen në ligj nuk respektohen.

“Shpresoj te aplikimi i dytë të bëhet diçka, përderisa e kam bërë të qartë dhe pjesën që jam me aftësi të kufizuar”, tha ajo. “Ishte një mbledhje që zhvillohej dhe thanë se do e marrin parasysh për fazën tjetër,” shtoi 24-vjeçarja, por edhe rezultatet e konkursit të 25 tetorit nuk e listuan përsëri mes 143 fituesve.

Situata e punësimit për personat me aftësi të kufizuara është njësoj e zymtë edhe në pushtetin vendor. Të dhënat e siguruara nga BIRN nga 17 bashki tregojnë se në total kishin vetëm 44 të punësuar me aftësi të kufizuara. Gjashtë nga 17 njësitë e qeverisjes vendore që iu përgjigjën kërkesës së BIRN për informacion, kishin zero të punësuar me aftësi të kufizuara. Bashkitë me numrin më të lartë të punësuarve me aftësi të kufizuar ishin Pogradeci, Gramshi dhe Mirdita, me një total prej 22 punonjës nga kjo kategori sociale. Nga 11 bashkitë që deklarojnë të punësuar me aftësi të kufizuara, Tirana ka numrin më të ulët në raport me totalin e punonjësve, me vetëm dy persona me aftësi të kufizuar nga 6815 të punësuar.

Vakuum ligjor për sektorin privat

Qendra “Xhonatan”, e cila përkrah personat me sindromën ‘down’ hapi dy vite më parë një bar kafe, ku punësoi një të ri me aftësi të kufizuara në pozicionin e kamarierit. Punësimi i Besit ishte pjesë e programit kombëtar të punësimit për personat me nevoja të posaçme, por tashmë kontrata e tij ka mbaruar së bashku me programin që e mbështeste.

“Kontrata e Besit për fat të keq ka mbaruar më 15 shtator dhe ky program gjithashtu, ndaj ne tani ofrojmë kurse pavarësie për të rinjtë e qendrës, që të mund t’i integrojmë në vende të tjera pune,” shprehet Gracian Tili, menaxher pranë qendrës ‘Xhonatan”.

“Po presim përgjigje nga disa biznese dhe lokale që ne kemi kontaktuar për të bërë të mundur punësimin dhe integrimin e këtyre të rinjve me sindromën down,” shtoi ai.

Paralelisht me kërkesën për punësimin në shtet, Kristiana Sterjo është interesuar dhe ka aplikuar në vende të ndryshme pune në sektorin privat, por edhe këto përpjekje kanë dështuar.

“Përgjigja e parë që kam marrë pasi iu kam thënë për sëmundjen time, ka qenë që nuk kemi infrastrukturën e nevojshme, për shembull jemi në kat të 4-t, 5-të nuk kemi ashensor,” tregon ajo.

Ngjashëm me sektorin publik, edhe sektori privat nuk i zbaton kuotat për punësimin e personave me aftësi të kufizuara. Sipas të dhënave nga Shërbimi Kombëtar i Punësimit, gjatë vitit 2018 është bërë i mundur punësimi i 138 vetëve, ndërkohë që për 2017-ën ky numër ishte rreth 56% më i ulët, me vetëm 78 të punësuar në total.

Irida Qosja, përgjegjëse e Sektorit të Inspektimit për Marrëdhëniet në Punë pranë Inspektoriatit Shtetëror të Punës i tha BIRN se ky institucion ka hasur problematika të theksuara në drejtim të zbatimit të ligjit për shkak të moskrijimit të Fondit Social të Punësimit, ku punëdhënësi mund të derdhte një pagë minimale, në rast se nuk përmbushej detyrimi për punësimin e PAK.

“Moskrijimi i fondit bënte vakuumin ligjor, që punëdhënësit t’i shpëtonin këtij detyrimi duke mos e adresuar deri në fund çështjen,” tha Qosja.

“Vetë Inspektorati, institucioni që ngarkohet për zbatimin e këtij ligji dhe që ligji i jep të drejtën të vendosë sanksione ligjore për moszbatimin e tij, në kuadër të këtij vakuumi ligjor e kishte të pamundur të ushtronte kompetencën e vet, plotësisht,” shtoi ajo.

Sipas Qosjas, këto problematika pritet të zgjidhen me ligjin e ri, që ka hyrë në fuqi në muajin mars të këtij viti. Megjithatë, edhe ky ligj mbetet i pazbatueshëm për shkak se nuk janë miratuar aktet nënligjore.

“Ligji i ri ka bërë një rivlerësim të kuotës. Sesi do jetë fondi dhe kush do të jetë fondi, do të përcaktohen me udhëzim të ministrit, që është akti nënligjor plotësues i ligjit “Për nxitjen e punësimit”, por që në këtë ligj është parashikuar të mbyllen brenda 12 muajve nga hyrja në fuqi,” tha Qosja.

“Jemi në situatën që ligji ka nevojë të plotësohet për të gjetur zbatimin e plotë,” shtoi ajo.

Ligj i ri, probleme të vjetra

Ndryshe nga Qosja, ekspertët i kritikojnë ndryshimet e ligjit “Për nxitjen e punësimit”, të miratuara në mars të këtij viti, pasi sipas tyre shanset për punësimin e personave me aftësi të kufizuar janë ulur.

“Ligji për nxitjen e punësimit, në vend që të përmirësohej, u përkeqësua,” tha Sokol Murataj. “Para ndryshimeve, kuotat e punësimit të PAK ishin 1 për çdo 25 punonjës, ndërkohë që ligji i ri vendos konceptin e “personit shtesë për çdo 50 punonjës të tjerë,” shtoi ai.

Kritik për ndryshimet e fundit të legjislacionit është dhe ish-kryetar i Këshillit Kombëtar të Personave me Aftësi të Kufizuar, Sinan Tafaj.

“Këto janë lojëra shifrash, të cilat e kanë përkeqësuar jo për faktin se 2 në 75 në një biznes është më mirë se 1 në 25, por çështja është se sa biznese ka në Shqipëri që kanë nga 75 punonjës,” argumenton ai. “Pra, çështja është që duke e rritur, ka diçka pozitive sepse i bëhesh më pak barrë biznesit, por nga ana tjetër është reduktuar mundësia me 3 herë e gjetjes së kompanive që e kanë këtë numër,” shtoi Tafaj.

Ekspertët kritikojnë dhe formën e përzgjedhur nga qeveria për zbatimin e kuotave dhe detyrimin për derdhjen e një page minimale në Fondin Social të Punësimit. Sipas tyre, shteti ka vendosur të gjobisë bizneset private që nuk punësojnë persona me aftësi të kufizuara, por për veten e vet, nuk tregon asnjë lloj dëshire për t’i punësuar dhe për t’i besuar përgjegjësitë.

“Është një masë, që jo vetëm është drastike, por është edhe e paarsyeshme sepse marrja në punë e një PAK do të thotë së pari krijimin e kushteve të punës. Por, këto lloj kostosh nuk mund t’ia ngarkosh biznesit,” tha Tafaj.

“Shteti duhet të marrë masa sesi do t’i përshtasë këto, çfarë duhet të paguajë shteti e çfarë do të marrë përsipër. Në rast se privati i krijon të gjitha kushtet dhe më pas për arsye jo të përligjura refuzon, atëherë mund të gjobitet, por jo t’i vesh atij ngarkesa drejtpërsëdrejti,” shton ai.

Edhe për Muratajn, masat administrative rënduese ndaj privatit nuk janë mënyra më e mirë për t’i integruar në tregun e punës personat me aftësi të kufizuara.

“Kjo masë është e padrejtë, sepse është shteti i pari duhet të plotësojë detyrimet e veta si formimi profesional, përshtatja e vendeve të punës,” tha ai. “Pra haptas, shteti punësimin tonë e konsideron si barrë, të cilën synon ta shkarkojë tek punëdhënësit,” shtoi Murataj.

Sipas tyre, qeveria duhet të ndërmarrë politika serioze në drejtim të punësimit të personave me aftësi të kufizuar, duke patur parasysh edhe nivelin e tyre arsimor.

“Institucionet përgjegjëse nuk kuptojnë një fakt, që personat me aftësi të kufizuar duhet të jenë konkurrues në treg dhe për të qenë konkurrues, ata duhet të përgatiten profesionalisht,” tha Tafaj.

Gjithashtu, sipas Tafajt një fushë tjetër ku duhet punuar nga ana e qeverisë është vetëpunësimi.

“Ne kemi të verbër, që janë profesionistë të mirë në fusha të ndryshme si: fizioterapi, avokati, në arte, por mundësia e vetëpunësimit të tyre është reduktuar, sepse shteti nuk i mbështet realisht në përpjekjet e tyre,” nënvizoi ai.

Megjithë debatet për ndryshimet ligjore, Plejada Gugashi, eksperte për të drejtat e punës pranë qendrës ‘Olaf Palme’ shprehet se rëndësi ka plotësimi i ligjit me aktet nënligjore.

“Procesi i plotësimit të kuadrit ligjor me aktet nënligjore si dhe bërja funksionale e institucioneve të parashikuara nga ligji, duhet të përshpejtohet,” tha ajo.

Sipas Gugashit, gjithashtu ka nevojë edhe për trajnimin e inspektorëve të punës për zbatimin e legjislacionit sa i përket personave me aftësi të kufizuar dhe kontroll i vazhdueshëm kundrejt entiteteve nga ana e Inspektoriatit të Punës për zbatueshmërinë e legjislacionit të punës.

“Sidomos qartësimi dhe zbatimi efikas i sanksioneve administrative për rastet kur parashikimet ligjore për këtë kategori nuk zbatohen,” theksoi ajo.

Sokol Murataj thotë se për personat me aftësi të kufizuar, punësimi është më shumë se një rrogë, por shërben gjithashtu për ta integruar këtë kategori sociale në shoqëri.

“Kur ne punësohemi do të thotë që shoqëria na ka pranuar si pjesëtarë aktivë të saj,” tha ai. “Fenomeni i punësimit për ne, përveç domethënies që ka për gjithë të tjerët, përmban në vetvete së pari, respektim dhe mbrojtje të dinjitetit njerëzor, por edhe rritjen e nivelit të standardit social- ekonomik,” shtoi Murataj.

Kristiana Sterjo, juristja e re e diplomuar me rezultate të larta bën thirrje që shoqëria mos t’i kthejë shpinën personave me aftësi të kufizuar.

“Mund të jetë vetëm një grup njerëzish të tillë, por mos harroni se jetës asnjëherë nuk i dihet: nesër mund të jesh ti ose një nga familjarët e tu në këtë pozicion,” tha ajo. “Këtë pozicion, mbase nuk mund të kuptosh pa qenë vetë, por është e rëndësishme që të kemi një mbështetje, sepse edhe ne vlejmë”, përfundoi Kristiana.

SHKARKO APP