Pesë vjet pa Adriatik Kallullin

Flet bashkëshortja Nezi Kallulli: “Nuk e kisha menduar kurë, që ky pedagog do të bëhej një ditë bashkëshorti im. Filluam pas disa vitesh jetën familjare. Doje apo s’doje ti, do ta pranojë faktin që Adriatiku kishte një pasion të veçantë për letërsinë, për artet në përgjithësi….”

Nga Zenepe Luka

Në ditën e 5-vjetorit të ndarjes nga jeta, një dokumentar sjell të gjallë mes nesh Prof. Dr.Adriatik Kallulli.  Pena e artë e gazetares televizive Tefta Radi dhe kamera e Esat Cuçllarit, me rastin e 5-vjetorit të ndarjes nga jeta të Prof. Dr. Adriatik Kallulli, e ka sjellë të gjallë në një dokumentar  prej 50 minutash, që u përurua të martën në një nga sallat e Universitetit të Arteve. Promovimi i dokumentarit u bë të martën më, në Universitetin e Arteve, në orën 11:00, në sallën “Black Box”.

Në këtë aktivitet u bisedua dhe me Nezin, bashkëshorten e Adriatikut dhe në këtë ditë të mbushur me emocione, për të flet mjegulla e lotit, që nuk i ndahet tërë kohës.

Flet bashkëshortja Nezi Kallulli:

“Nuk e kisha menduar kurë, që ky pedagog do të bëhej një ditë bashkëshorti im. Filluam pas disa vitesh jetën familjare. Doje apo s’doje ti, do ta pranojë faktin që Adriatiku kishte një pasion të veçantë për letërsinë, për artet në përgjithësi.  Punonte shumë, punonte me seriozitet, lexonte shumë letërsi, letërsi shqiptare sigurisht, lexonte letërsi të huaj në anglisht, në rusisht, edhe në Italisht.

Nadoni dhe Dalina ishin krenaria e tij. Nadoni,  me pasionin për regjisurën. Adriatiku ishte babai, por sidomos shoku, me të cilin bisedonte e gazmonte. Dalina ishte sa dhembshuri po aq edhe mburrje. I ngjau në përkushtim, në arritjet në shkencë. Me një bibliografi të pasur botimesh, Dalina është profesorë e gjuhësisë së krahasuar në Universitetin e Vjenës. Por shprehja e dashur e Tikut ishte “Mjalti i mjaltit” dhe kjo i takonte, Eneas, Kurtit, Norisit, që e bënë gjysh të lumtur…

adriatik-kallulli2Fizkultura e mëngjesit, kitara dhe loja e shahut ishin pasionet që e ndihmonin të arratisej deri në orët e vona të mbrëmjes, nga grija që mbështillte të përditshmen shqiptare…  Për Migjenin ka punuar tërë jetën. Ka mbledhur materiale, ka 7- 8 dosje vetëm për Migjenin. Dhjetëra, dhjetëra bashkëbisedime me bashkëkohës të Migjenit, me profesorë, me mjekë. E ka gjetur kartelën e Migjenit kur shkoi ne Itali.  E ka botuar në gazetën shqiptare. E kemi në origjinal edhe atë. Ka punuar shumë për Migjenin. Nuk di se si do bëjmë me atë, se donte të bënte dy libra, dy botime, një roman dhe si të thuash një libër studimor për Migjenin.

Ka botuar shumë. Vitin e kaluar  i bëra librin për bibliografinë dhe krijimtarinë e tij. Vetëm se më shumë se 90 % të materialeve i kishim vetë, se është shumë e vështirë për t’i gjetur sidomos ato që janë botuar jashtë. Kam gjetur shumë. Por asnjë bibliografi nuk është e plotë sepse janë shkrime për një gjysmë shekulli.  Në 52 vite krijimtari, mijëra faqe në të gjitha organet e shtypit. Dhe para viteve ‘90 ka shkruar me botime të mirëfillta që nga viti ‘59 deri në fund të jetës së tij”.

Nga blloku i  shënimeve

Në bllokun e shënimeve të profesor Kallullit dhe në intervistat e mia me ‘të, janë nënvizuar dhe shprehur ulje-ngritjet e jetës së tij.  “Nëse do të mbeten kryeveprat dhe unë kam shkruar për ‘to, atëherë unë e kam një certifikatë vlerësimi. Unë, si dhe kolegët e mi, jemi kategori historike. Ndaj them se nuk i kam askujt borxh, përkundrazi kam shkrirë shpirtin tim, kam shkrirë sytë e mi, jetën time. Ndofta disa shkrimtarëve, nuk ua kam dhënë atë që u takon, sepse unë, dua ta përsëris dhe nuk më vjen turp ta rithem, në fund të fundit, punoj me një gjysmë syri dhe nuk kam mundur të jap gjithçka që duhet”.

Në mend më ka mbetur një nënvizim i tij, aktual dhe  përjetësisht: “Duhet të fillojë të dënohet shumë ashpër dhe publikisht, mendimi se politikanët tanë duhet të kenë gjithmonë një epërsi absolute mbi intelektualët, mbi dijetarët, mbi shkencëtarët, mbi humanistët, ndryshe ne nuk do të mund të ecim me ato ritme që ecën njerëzimi nëpër vendet e tjera të botës. Në Amerikë, Kanada, në vendet e tjera që kanë arritur zhvillime dhe ritmika shumë të mëdha, politikanët nuk kanë epërsi as lavdi, as kushte ekonomike dhe materiale mbi të gjithë këta intelektualë, të cilët i kanë vënë tërë shpatullat e tyre zhvillimit të infrastrukturës, zhvillimit të kombit. Prandaj edhe tek ne duhet që stafi i udhëheqësve të rinj, politikanëve të rinj, i gjithë Parlamenti shqiptar, të kuptojë se ata janë kurrgjë po qe se nuk vlerësojnë intelektualët shqiptarë, të cilët lindin me shumë vështirësi dhe një pjesë prej tyre janë të papërsëritshëm në vlerat e mëdha që krijojnë.

Në qoftë  se ne si shtet mëmë nuk do të kemi fuqi t’i unifikojmë të gjitha këto forca të hapërdara, që mjerisht nuk janë akoma as të bibliogratizuara, ne kot që flasim për një  traditë kombëtare.

Ndarja nga jeta

Kallulli u lind në një tokë të huaj, në Bari të Italisë dhe  e reshti frymën në një tjetër tokë të huaj, në Vjenë të Austrisë, në prag Krishtlindjeje, më 24 dhjetor 2011, kur dita mundte natën, për t’u rikthyer në tokën e tij. Det e qiell, ku horizonti, lartësia dhe paanësia i bashkon, duket se shënjonin edhe metaforën e qenies dhe mendimit të tij: të dyja të gjera, të thella, të hapura.

8 monografi të botuara,tekstet universitare: Në frontin e letërsisë (1974), Njohuri mbi estetikën (1977), Teori e letërsisë (1997), Pema e jetës (2002), e shumë botime të tjera , nuk mund te anashkalohen  dot për nga thellësia e studimit, mprehtësia e analizës dhe hiri i stilit tërheqës. Tituj të tillë janë e mbeten për bibliotekën e mendimit letrar-artistik shqiptar një memorie e gjallë për të mësuar të djeshmen dhe të sotmen, atë kapërcyell kohërash e mendësish që bri nesh a përballë, na jep një instrument të vyer drejtpeshimi dhe vlerësimi estetik. Mbi 1000 shkrime e njësi bibliografike që kritiku la pas, një pasuri, mbeten ende të daktilografuara apo me shkrim dore në letër. Koha Jonë

SHKARKO APP