Pesticidet në fruta e perime/ Agronomët kërkojnë protokoll të ri dhe përdorim të preparateve me karencë të shkurtër

Prania e pesticideve në fruta dhe perime nuk lidhet vetëm me fermerët, pasi një rol të rëndësishëm në procesin e mbrojtjes së bimëve kanë edhe agronomët. Sipas specialistit të mbrojtjes së bimëve, Shpend Shahini, rekomandimi i preparateve të duhura është një nga elementët kryesorë për të garantuar sigurinë e produkteve bujqësore.

Shahini thekson se agronomët duhet të orientohen drejt preparateve me periudhë të shkurtër karence, veçanërisht për kulturat që vilen shpesh. Sipas tij, karenca nuk duhet të jetë më e gjatë se koha që i duhet fermerit për të kryer vjeljen. Si shembull përmendet speci, i cili në shumë raste mblidhet çdo dy ose tre ditë.

Përdorimi i preparateve me karencë të gjatë mund të krijojë probleme kur fermeri është i detyruar të vjelë prodhimin në një periudhë më të shkurtër. Për këtë arsye, specialistët kërkojnë që rekomandimet për përdorimin e pesticideve të jenë më të përshtatura me ciklin e secilës kulturë bujqësore.

Swiss Digital Desktop Reklama

Një tjetër alternativë e propozuar është përdorimi i metodave të kontrollit biologjik për luftimin e insekteve dhe dëmtuesve. Sipas specialistëve, këto metoda mund të ndihmojnë në uljen e përdorimit të pesticideve dhe në prodhimin e produkteve më të sigurta.

Swiss Digital Mobile Reklama

Për të shmangur përdorimin e gabuar të preparateve, kërkohet edhe miratimi i një protokolli të ri nga Ministria e Bujqësisë. Protokolli duhet të përcaktojë lëndën aktive që duhet përdorur në varësi të dëmtuesit apo sëmundjes, si dhe dozën dhe frekuencën e aplikimit.

Shahini nënvizon se përveç periudhës së karencës, rëndësi ka edhe sa shpesh përdoren këto produkte, pasi frekuenca ndikon në procesin e biodegradimit të tyre.

Ndërkohë, përdorimi i pesticideve në produktet bujqësore shqiptare është evidentuar edhe në raportime nga vendet e Bashkimit Europian. Ndër kulturat që përmenden si më problematike janë speci i kuq, domatja dhe pjeshka. Përballë kësaj situate, Ministria e Bujqësisë ka përgjegjësinë për forcimin e kontrolleve dhe marrjen e masave për garantimin e sigurisë së produkteve që dalin në treg.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A keni besim se Protesta do ta rrëzojë kryeministrin Rama?