Peticion i Aleancës për Teatrin: Çlironi Shqipërinë tani! Stop diktaturës sanitare!

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar i ka dërguar sot një peticion kreut të shtetit, Ilir Meta, Komisionit Europian  dhe Këshillit të Europës për situatën e krijuar në vend si pasojë e pandemisë së koronavirusit.

Intelektualët që janë pjesë e këtij grupimi rendisin një sërë arsyesh se përse qeveria “Rama” ka dështuar me parandalimin e pandemisë dhe po rrezikon ekonominë dhe të ardhmen e vendit.

Aleanca kërkon “rikthimin në punë të të gjithë qytetarëve të Republikës që janë të aftë për punë, për të shmangur falimentimin ekonomik. Rikthimin e lirisë së lëvizjes për të gjithë qytetarët, pavarësisht moshës e statusit social. Rihapjen e të gjitha shkollave, pasi asnjë fëmijë nuk është infektuar deri më sot. Detyrimin e të gjithë qytetarëve të përdorin maska në mjedise të mbyllura, deri në rënien shkallës së infektueshmërisë nën 1”.

Gjithashtu, ata kërkojnë që qeveria të marrë masa për prodhimin e maskave me shumë përdorime nga ndërmarrjet fason në vend. “Kryeministri të bëjë transparencë për fondet e ndihmave, të përfituara me rastin e pandemisë dhe të shpërndajë urgjent fondet për individët dhe bizneset e prekur. Lejimin e të gjitha veprimtarive sociale, sportive dhe kulturore. Në të kundërt, kjo klasë politike do të mbajë përgjegjësi për rrënimin ekonomik të vendit dhe konfliktin social të pashmangshëm që do të pasojë”,- thuhet në deklaratën e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit.

Peticioni i plotë i Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit

Drejtuar:

Presidentit të Republikës, z. Ilir Meta

Komisionit Europian

Këshillit të Europës

Prej pesë javësh jemi në gjendje të jashtëzakonshme dhe qeverisemi jo nga një qeveri, por vetëm nga Kryeministri; jo me ligje, por me urdhëra të shpallur nga Kryeministri. Në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, Kryeministri ka dorë të lirë të shkelë Kushtetutën sipas qejfit.

Neni 27 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, paragrafi 2, pika d, sanksionon se:

  1. Liria e personit nuk mund të kufizohet, përveçse në rastet e mëposhtme:
  2. d) kur personi është përhapës i një sëmundjeje ngjitëse…

Në kundërshtim me Kushtetutën, Kryeministri ka shpallur 3 milion shqiptarë “përhapës të një sëmundjeje ngjitëse” dhe u ka kufizuar lirinë, duke i dënuar me burgosje në shtëpi.

Njëkohësisht me Nenin 27, Kryeministri ka shkelur edhe Nenin 49, paragrafi 1, të Kushtetutës, i cili sanksionon se: Secili ka të drejtë të fitojë mjetet e jetesës së tij me punë të ligjshme…

Ky dënim i paligjshëm dhe antikushtetues bie ndesh madje edhe me Ligjin nr.8328, datë 16.4.1998 (I ndryshuar) “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, Neni 28 “Koha e ajrimit” i të cilit, sanksionon se:

Të paraburgosurit dhe të dënuarit që nuk punojnë jashtë dhe të gjithë të dënuarit e tjerë, në ditët që nuk punohet, kanë të drejtë të qëndrojnë në ajrim në mjedise të hapura jo më pak se 2 orë në ditë.

Të dënuarit e mitur kanë të drejtë të qëndrojnë në ajrim, jo më pak se 3 orë në ditë, përveç kohës për veprimtari social-edukative.

Veçanërisht fëmijët dhe pensionistët janë të dëmtuar nga ky dënim antikushtetues, pasi për ta nuk ekziston më as e drejta e ajrimit në burg.

Masat e marra nga Kryeministri në zbatim të gjendjes së fatkeqësisë natyrore janë joproporcionale dhe të paarsyeshme, nëse konsiderojmë faktet:

  1. Kryeministri dërgoi mjekët me termometër në dorë, nëpër pikat e kalimit kufitar, kur dihej se personi i prekur nga virusi është përhapës i tij edhe nëse nuk ka shfaqur temperaturë të lartë. Ai priti shfaqjen e rasteve të para, për t’i përdorur ato si justifikim për instalimin e diktaturës personale, për të cilën dukej se ishte përgatitur me kohë.
  2. Kryeministri nuk mori asnjë masë për sigurimin e stokut të nevojshëm me maska dhe alkool, të domosdoshme dhe efikase në parandalimin e përhapjes së virusit. Ai dhe shërbëtorët e tij nuk rekomanduan kurrë përdorimin e maskës, ndërkohë që shumë vende në Europë e kanë bërë këtë masë të detyrueshme me ligj.
  3. Kryeministri ka urdhëruar masa ekstreme, që nuk janë zbatuar në asnjë vend të Europës, përfshi edhe Italinë, ku shifrat janë mbi 40 herë më të larta ( Shqipëria regjistron 9, ndërsa Italia 376 vdekje për një milion banorë)
  4. Kryeministri ka refuzuar çdo ndihmë për pensionistët dhe fëmijët, që i ka dënuar me burg, pa të drejtë ajrimi, ndërkohë që në Itali edhe qentë kanë më shumë të drejta se pensionistët dhe fëmijët shqiptarë, pasi ata mund të shetisin çdo ditë, madje edhe me ndihmën e vullnetarëve, nëse të zotët e tyre e kanë të pamundur.
  5. Kryeministri po refuzon thirrjet e mjekëve dhe psikologëve të pavarur, që po kërkojnë lehtësim të masave, për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve të shëndetshëm dhe parandalimin e përkeqësimit të shëndetit tek personat që vuajnë nga sëmundjet kardiovaskulare, hipertensioni, problemet e shëndetit mendor, si pasojë e stresit dhe mungesës së veprimtarisë fizike.
  6. Kryeministri po injoron zërat e mjekëve të pavarur që thonë se virusi ka qenë i pranishëm që në janar dhe në shkurt janë verifikuar raste të sëmurësh me “pulmonit akut ATIPIK” dhe nuk ka asnjë hetim, përmes verifikimit të skanimeve, për të sqaruar nëse bëhej fjalë për Covid-19.
  7. Kryeministri po refuzon të shohë kurbën e vdekjeve, rasteve të reja dhe të shtruarve në spital, që janë të gjitha në rënie, gjë që provon edhe një herë se piku i epidemisë në Shqipëri ka kaluar para se të fillojë zbatimi i masave kundër saj.
  8. Kryeministri dhe kryebashkiakët po u refuzojnë ndihmën financiare pensionistëve dhe po shpërdorojnë fonde për tenderë abuzivë pakosh ushqimore, transport, ekipe korrierësh ku nuk mungon kameramani dhe fotografi, duke kryer atë që quhet “porno me varfërinë”.

Për gjithë sa më lart, ne kërkojmë ÇLIRIMIN E SHQIPËRISË TANI!

Rikthimin në punë të të gjithë qytetarëve të Republikës që janë të aftë për punë, për të shmangur falimentimin ekonomik.

Rikthimin e lirisë së lëvizjes për të gjithë qytetarët, pavarësisht moshës e statusit social.

Rihapjen e të gjitha shkollave, pasi asnjë fëmijë nuk është infektuar deri më sot.

Detyrimin e të gjithë qytetarëve të përdorin maska në mjedise të mbyllura, deri në rënien shkallës së infektueshmërisë nën 1.

Qeveria të marrë masa për prodhimin e maskave me shumë përdorime nga ndërmarrjet fason në vend.

Kryeministri të bëjë transparencë për fondet e ndihmave, të përfituara me rastin e pandemisë dhe të shpërndajë urgjent fondet për individët dhe bizneset e prekur.

Lejimin e të gjitha veprimtarive sociale, sportive dhe kulturore.

Në të kundërt, kjo klasë politike do të mbajë përgjegjësi për rrënimin ekonomik të vendit dhe konfliktin social të pashmangshëm që do të pasojë.

ALEANCA PËR MBROJTJEN E TEATRIT

Per te nenshkruar peticionin ndiqni linkun e meposhtem

https://www.change.org/p/presidentit-ilir-meta-%C3%A7lironi…

SHKARKO APP