Pezullimi i vaksinimit, Brataj: Çfarë lidhje ka vaksina me infarktin? Tomini: U vendos që të vijojë aplikimi i Astrazenecas
Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj ishte më kategorik në lidhje me çështjen e krijuar në shumë vende të botës të cilat kanë pezulluar përkohësisht procesin e vaksinimit me AstraZeneca.
Sipas Brataj, vaksinat nuk kanë asnjë lidhje me mpiksjen e gjakut. Ai shtoi se aktualisht po hetohet për një sasi vaksinash të prodhuara nga AstraZeneca të cilat dyshohet se kanë shkaktuar rastet e mundshme me tromboli, të raportuar në disa vende të botës.
Ai shtoi se efektet anësore të të treja vaksinave kryesore kundër koronavirusit janë prezantuar prej kohësh.
“Çfarë lidhje ka vaksina me infarktin? Kardiologët kanë dalë prej muajsh që kanë thënë ka pasur një rritje me 15% të sëmundjeve kardiake dhe për shkak të pandemisë. Realiteti është ky që një parti e prodhuar e këtyre vaksinave që mund të ketë shkaktuar këto 38 raste me mpiksje të gjakut. Nuk ka mosha të reja. Në Piemonte u ndalua përkohësisht vaksinimi për dy orë, u vlerësua situata. Nuk u vërtetua asnjë lidhje për vdekjet me vaksinën dhe vaksinimi nisi sërish.
Komplikacionet e 3 vaksinave i kemi. AstraZeneca ka efekte anësore dhimbje, dhimbje koke, temperaturë deri në 38, të vjella. Edhe kur ka temperaturë, organizmi reagon, por kjo është gjë pozitive. Edhe në institucionin që drejtoj unë nuk e bënë të gjithë vaksinën dhe shumë ndërruan mendjen. Vetë virusi Covid shkakton këto lloj mpiksje të gjakut”, u shpreh Brataj.
Vijon vaksinimi
Procesi i vaksinimit të mësuesve me Astrazeneca është shtrirë në të gjithë Shqipërinë, pavarësisht debatit dhe dyshimeve që janë ngritur gjatë kohëve të fundit mbi vaksinat e AstraZeneca, që janë pezulluar nga shumë vende në Europë dhe jo vetëm.
Sipas zëvendësministres së shëndetësisë, Eugena Tomini, nuk është gjetur lidhje shkak-pasojë mes aplikimit të vaksinës dhe mpiksjes së gjakut, ndaj është vendosur që vaksinimi në vend të vijojë.
Sipas Tominit, të vaksinuarit po monitorohen për efekte post vaksinale, megjithatë është ende herët për të folur për efekte anësore.
“Realisht situata e vaksinimit në Shqipëri ka proceduar sipas një plani paraprak dhe një strategjie për vaksinimin e popullatës për Covid-19. Ndërkohë prurja e ardhur prej 38.400 dozash nga instrumenti Covax, ishte në kuadër të marrëveshjes që Shqipëria ka kryer në 6 mujorin e dytë të 2020. Ju e dini që instrumenti Covax ka një përqindje prej 20% të mbulesës së popullatës, ndërkohë tratativat e qeverisë shqiptare kanë qenë për kanale të tjera komunikimi për prurje të sasive të tjera të vaksinave nga industri të tjera farmaceutike.
Dhe ndërkohë pavarsisht daljeve të disa rasteve që kanë rezultuar në një popullatë që ka aplikuar vaksinën e Astrazenecas, sigurisht që dhe ne kemi një komunitet për imunizimin dhe një grup ekspertësh për imunizimin teknik. Kemi edhe komitetin për aksionet post vaksinale. Të tre komitetet luajnë rol në momente kyçe, vlerësimin e situatës së pandemisë, prej hyrjes së vaksinës në territorin shqiptar dhe më pas për efektet anësore. Vlerësimi i tyre në mënyrë të njëpasnjëshme, takimet e tyre përkundrejt evidencave të rasteve që janë shfaqur për tromboembolinë, sigurisht që ka qenë një vendim unanim i komitetit kombëtar të imunizimit për vijueshmërinë e apilikimit të Astrazenecas.
Efektet anësore monitorohen nga një proces i tërë i survejancës së reaksioneve apo të ngjarjeve pas aplikimit të vaksinës, dhe sigurisht ne jemi në hapat e parë dhe duhet një kohë më e gjatë për të parë dhe efektet anësore.
Duhet të theksojmë një element tjetër. Ashtu siç edhe ne botë, apo Europë, apo dhe nga Londra, Kanadaja, nga vende që e kanë aplikuar në një sasi të konsiderueshme Astrazenecan nuk është gjetur një lidhje shkak-pasojë tek personat që e kanë aplikuar vaksinën dhe kanë pasur tromboemboli. Në momentin e vlerësimit të rasteve që kanë pasur mpiksje gjaku, nuk është gjetur lidhje mes shkakut që është vaksina me pasojën që ështe tromboembolia. Argumentat më bindëse që EMA do nxjerrë më datën 18, kanë në investigim të gjitha rastet e mundshme të supozuara që mund të kenë lidhje me vaksinën.
Deri në këto momente OBSH ka përforcuar elementin tjetër të rëndësishëm, që nuk është gjendur lidhja mes shkakut dhe pasojës. Sigurisht që është shumë e rëndësishme të kemi në mbulesë të mirë vaksinale, të mos hezitojmë vaksinimin për të ulur efektet e Covidit dhe për të ulur klinikat e ashpra.”, u shpreh Tomini. /A2 Cnn