Pezullohet nga detyra drejtoresha e spitalit rajonal në Durrës

Gjykata e Durrës ka vendosur masën ndaluese “pezullim nga detyra” për drejtoreshën e spitalit rajonal, Ardjola Frashëri. Vendimi erdhi pas kërkesës së Prokurorisë. Sipas organit të akuzës, Frashëri dyshohet  për konsumimin e elementëve të veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Shkeljes së barazisë në tendera”.

Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimin në bazë të kallëzimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili ka audituar veprimtarinë ekonomike të Spitalit Rajonal të Durrësit për periudhën 2013-2015.. Nga hetimet e Prokurorisë ka rezultuar se, në të paktën 23 raste, drejtoresha Frashëri, si edhe ish-drejtori Taulant Baku, i cili gjithashtu është nën hetim, kanë urdhëruar kryerjen e prokurimit publik me procedurën e “Negociimit pa njoftim paraprak”. Në bazë të ligjit “Për prokurimin publik”, kjo procedurë aplikohet vetëm në raste emergjente. Nga hetimi i deritanishëm i Prokurorisë së Durrësit rezulton se prokurorimet publike me negocim pa njoftim janë kryer në shkelje të ligjit, për faktin se nuk ka pasur asnjë arsyetim për kushtet e emergjencës.

Nga hetimet e deritanishme, Prokuroria e Durrësit konsideron si shkelje ligjore procedurat e prokurimit publik për mallra dhe shërbime, si: blerje nafte, shërbim kateringu, shërbim ruajtje civile, riparim pavionesh, blerje materiale pastrimi, si edhe për blerje medikamentesh dhe materialesh mjekësore.

Në vijim të hetimit, Prokuroria e Durrësit do të analizojë dëmin e shkaktuar nga procedurat e dyshuara si të zhvilluara në kundërshtim me ligjin. Sipas raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, dëmi ekonomik llogaritet në vlerën e rreth 70 milionë lekëve.

Pasi ka marrë vendimin e gjykatës për pezullim nga detyra të drejtoreshës Ardjola Frashëri, Prokuroria e Durrësit ia ka dërguar për zbatim Ministrisë së Shëndetësisë. Ndërkohë, për ish-drejtorin Taulant Baku, nuk është kërkuar masë ndaluese, për faktin se ai nuk është në funksion publik.

 

SHKARKO APP