Pezullohet polici që nxori armën gjatë konfliktit verbal në Laprakë
Policia e Shtetit ka reaguar pas publikimit të një videoje në rrjete sociale, ku shihen disa persona duke u konfliktuar verbalisht, ndërsa njëri prej tyre, polic, mban në dorë një armë. Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme, 9 shkurt, në lagjen Laprakë, Njësia Administrative nr. 11, pranë pallateve malajziane në Tiranë.
Sipas Policisë, Nënkomisar F. H., me detyrë “Ekspert” në Seksionin e Policisë Shkencore në DVP Kukës, u konfliktua me shtetasin D. H. për motive të dobëta dhe dyshohet se e ka kanosur atë me armën e shërbimit.
Si masë e menjëhershme, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit e ka pezulluar nënkomisarin dhe ka nisur hetimin disiplinor. Gjithashtu, arma e shërbimit e punonjësit, një pistoletë tip “TT”, iu bllokua për nevoja të hetimit.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka kryer veprime hetimore dhe procedurale, dhe materialet janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprën penale “Kanosja”.
KOHA JONË SONDAZH

