Pikat e emergjencës, Manastirliu: Mbi 1500 fëmijë po marrin kujdes psiko-social

Tërmeti tragjik i 26 nëntorit, përveç humbjeve të dhimbshme në njerëz ka shkaktuar edhe pasoja psiko-sociale tek fëmijët. Lidhur me këtë shqetësim të madh, mësohet se janë më shumë se 1500 fëmijë që po marrin kujdesin e duhur psiko-social nga 300 psikologë dhe punonjës socialë në pikat e emergjencës. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu thotë se fëmijëve po marrin përkujdesje të veçantë.

”Forca më e madhe për t’u ringritur nga kjo fatkeqësi natyrore janë fëmijët ndaj po garantojmë shërbime psiko-sociale për çdo fëmijë në hotele dhe pikat e emergjencës, ku janë strehuar familjet e mbetura pa strehë nga tërmeti. Nën koordinimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, nëpërmjet Agjencisë për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe Shërbimit Social, me mbështetjen e pakursyer të organizatave partnere, 150 po argëtohen me aktivitete të ndryshme në hotel Rafaelo, me shpresën për të lënë pas sa më parë pasojat e tërmetit. Më shumë se 1500 fëmijë po marrin kujdesin e duhur psiko-social nga 300 psikologë dhe punonjës socialë në pikat e emergjencës”.

Nga ana tjetër, Manastirliu tha se ofrohet kujdes shëndetësor 24 orë për banorët në pikat e emergjencës. ”Jemi përqëndruar në ofrimin e ndihmës mjekësore pranë hoteleve dhe pikave të emergjencës ku janë vendosur banorët dhe po garantojmë shërbim 24/7 dhe kemi siguruar barnat për të sëmurët kronikë”. Janë kryer 1990 vizita dhe trajtime mjekësore në hotele ku janë vendosur banorët e mbetur pa strehë si pasojë e tërmetit. Gjithashtu janë kryer 3100 vizita dhe trajtime mjekësore në qendrat shëndetësore 24/7 pranë zonave të prekura nga termeti. Janë pajisur me medikamentet e nevojshme 376 të sëmurë kronikë.

Kurse ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini u takua të hënën me mësuesit e shkollës 9-vjeçare ”4 Dëshmorët” në Tiranë, nga ku tha se secili mësues duhet të ketë një plan të mbrojtjes fillestare të nxënësve në klasën e saj si dhe planin e daljes emergjente. “Në shkollën 9-vjeçare “4 Dëshmorët” Tiranë, me mësuesit që zbatonin udhëzimin tonë të masave që secila shkollë duhet të ndërmarrë në rast tërmeti. Secili mësues duhet të ketë një plan të mbrojtjes fillestare të nxënësve në klasën e saj si dhe planin e daljes emergjente. Këto plane në nivel klase duhet të rakordohen me drejtorin për plan të daljes emergjente në nivel shkolle, i cili printohet dhe postohet në një vend të dukshëm në korridor. Kjo është puna që po bëjnë mësuesit sot dhe nesër për t’u përgatitur për rifillimin e mësimit”.

SHKARKO APP