Pikë e re vaksinimi në Allias, Manastirliu: ”Derë më derë” në çdo komunitet

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu dhe drejtuesi i Zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Shqipërinë, dr. Raul Gonzalez vizituan pikën e re të vaksinimit në Allias, nga ku ministrja u shpreh se vaksinimi do të kryhet “derë më derë” në çdo komunitet. ”Me investimet që kemi bërë për rrjetin e zinxhirit ftohës të vaksinimit por edhe me investimet të tjera në këtë qendër është bërë e mundur hapja e kësaj pike vaksinimi që i shërben një komuniteti prej rreth 7 mijë banorësh në zonën e Alliasit, në periferi të Tiranës”.

Duke bërë një apel për prindërit që të ndërgjegjësohen për të kryer vaksinat e fëmijëve sipas kalendarit të vaksinimit, Manastirliu tha se si tek kjo qendër shëndetësore në Allias, është përmirësuar zinxhiri ftohës për ruajtjen e vaksinave në 50 qendra shëndetësore. ”Si kjo pikë vaksinimi janë hapur 13 në gjithë Shqipërinë, ndërkohë që zinxhiri ftohësh është përmirësuar për 50 qendra shëndetësore, duke rritur sigurinë e vaksinave”.

Drejtuesi i Zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Shqipërinë, dr. Raul Gonzalez vlerësoi punën e qeverisë shqiptare për rritjen e mbulesës vaksinale në vend. ”Ky është një rast që ne shohim se si Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i është përshtatur nevojave të reja të popullsisë. Popullsia është rritur në këtë zonë, ka më shumë nevojë për vaksina. Kjo është një mënyrë se si shteti po siguron një mbulim të lartë të popullsisë”.

Nga ana tjetër, Manastirliu tha se nga 1 tetori në listën kalendarike të vaksinimit do të shtohet edhe një e re dhe se do tu shpallet luftë atyre prindërve që refuzojnë t’i bëjnë. ”Deri më tani kemi 11 vaksina në listën kalendarike dhe nga rekomandimet e OBSH-së, nga 1 tetori i këtij viti , do të shtohet edhe një e re. Këto vaksina do të vijojnë të mbeten në këtë kalendar dhe kjo është një sfidë që duhet të jetë kapilare në cdo zonë të Shqipërisë për të siguruar mbulesën vaksinale. Sot kemi një mbulesë vaksinale 95% të territorit, që konsiderohet e lartë. Kjo nuk do të thotë se duhet të humbim vigjilencën, sepse sfidat që prekin botën, prekin edhe Shqipërinë. Ajo që OBSH ka vendosur në planet e saj afatshkurtra dhe afatmesme është një nga sfidat që kemi si vendet e tjera, që është lufta me ato grupe që hezitojnë vaksinimin. Një nga sfidat e Shëndetit Publik është lufta ndaj atyre grupeve që hezitojnë vaksinimin”.

SHKARKO APP