Piktura “Hesht!”, e Jean-Baptiste Greuze, çasti që derdhet në një dritë të hyjshme

Albert Vataj
“Hesht!”, tabloja e francezit Jean-Baptiste Greuze, e cila daton në vitin 1759, më shumë se një fokus familjar, është ai momenti i komunikimit që mëton thelbësoren e trajtesës dhe gjithëgjasshmërinë e marrëdhënies së artistit me veprën dhe të vetë punës me mesazhin që përcjell dhe komponentët kompozicional dhe realizimin e tablosë.
Personazhet, sfodi familjar dhe drita hyjnore që lan këtë prezantim artistik është e një rëndësie evidente dhe përfaqësuese për vlerat dhe veprën që realizoi, Jean-Baptiste Greuze. E bardhëdhimta e ngrohtë shquan me një pulsim jetësor këtë moment. Çdo detaj është i vendosur në një shprehje narrative të poetikës mëtuese.
Në këtë tablo, ashtu siç është edhe thellë në shpirtjen krijuese të piktorit, nëna është një shenjtore, një mëkuese e jetës, përkujdesja e së cilës është vepra e ushqyer me amësinë e saj.
Ai e ngre në trajtesë ikonike këtë grua, këtë nënë, këtë edukatore, dhe e zbret në përjetimin tonë, në atyshmërinë e vetë çastit që depërton brenda nesh përmes dritës dhe idilikës familjare.


Piktura u ekspozua në Sallonin e Parisit të vitit 1759 me titullin: “Një pikturë që përfaqëson pushimin”, e karakterizuar nga një grua që e detyron djalin e saj të heshtë, duke treguar fëmijët e tjerë që flenë. Dy tituj të mundshëm sugjerohen nga ky përshkrim – “Le Repos” ose “Le Silence” – mbetën me rëndësi parësore. Megjithatë, një gravurë nga Laurent Cars e vitit 1765, pas pikturës me titull Le Silence ou La Bonne Mèree, ka zgjedhur të dytin si titull.
Piktura u dha hua nga një nga klientët kryesorë të Greuze, Jean de Jullienne, i cili ishte miku i ngushtë i tij, koleksionisti kryesor dhe promovuesi i artistit Antoine Watteau. Tabloja është një shembull shumë karakteristik i artit të Greuze, dhe megjithëse nuk mori vlerësime dërrmuese nga kritikët, më 1787 ajo u përshkrua në katalogun e shitjes së Vaudreuil si “fait le plus grand honneur à l’artiste”.
“Hesht!”, përshkruan një nënë të re që i lutet djalit të saj trazovaç që të mos i fryjë borisë lodrër, ndërsa fëmijët e saj të tjerë janë duke fjetur. Duket se ai mund të ketë qenë gjithashtu përgjegjës për thyerjen e daulles, të cilën piktori e ka vendosur me qëllim në pjesën e pasme të karriges në të djathtë. Fëmija tregohet qartazi në vështrimin dhe qëndrimin e tij, se urdhri i nënës për të heshtur është i vendosur. Temat e përshkruara në pikturat e Greuze shpesh pasqyrojnë qëndrimet në Francën e shekullit të tetëmbëdhjetë ndaj amësisë dhe edukimit të fëmijëve, siç përshkruhet në literaturën bashkëkohore. Nëpërmjet gdhendjeve, puna e Greuze arriti famë të konsiderueshme dhe ndikimi i tij mund të shihet në artin britanik të shekullit të nëntëmbëdhjetë.
Ekzistojnë një ser vizatimesh si punë paraprake, skica, përgatitore për tablonë “Hesht!”. Përbërja me sa duket është frymëzuar nga një pikturë e Nicholaes Maes, “The Sleep Knitter”, të cilën Greuze mund ta kishte njohur përmes një gdhendjeje. Një vizatim nga Greuze i një djali, ndoshta i lidhur me figurën në të majtë, u shit në Christie’s, më 4 korrik 1984. Një kopje në miniaturë e pikturës, e nënshkruar CV, u shit në Sotheby’s, 26 nëntor 1973.

SHKARKO APP