Piktura, skulptura dhe fotografia, vijnë në Shkodër për të rrëzuar “Gjethet që harroi vjeshta”

Drejtuesja e Galeri ODA, Rozafa Shpuza, gjatë komunikimit me median, mbrëmjen e 20 nëntorit në Shkodër

Albert Vataj

“Gjethet që harroi vjeshta” janë këputur nga degët e stinës së harbuar krijuese të artistëve shkodranë për të stolisur me larushinë e idilikës së ngjyrave mbrëmjen shkodrane, qysh prej 20 nëntorit deri në fillim të dhjetorit, duke e shndërruar Galeri ODA, jo vetëm në një ekspozitë arti, por edhe në një shkas për t’u mbledhur artistë, piktorë, skulptorë, fotografë, kuratorë, aktorë e miq, për të gjetur të gjithë një vend epjeje dhe prehjeje shpirtërore në shtëpinë e vogël të Rozafa Shpuzës të ngjitur lart në panteon.

Ekspozita kolektive e artistëve shkodranë, “Gjethet që harroi vjeshta”, frymëzim nga një varg i poetit, Frederik Rreshpja, iniciativë e Galerisë “Oda” në bashkëpunim me organizatën “Lidhja Shqiptare Europiane”, mblodhi të gjithë, Adnan Kastrati, Andi Hila, Arben Suma, Artan Dracini , Fatlum Doçi, Ferid Kola, Greta Tahiraga, Gys Vela, Lindita Dedukaj Gjoka, Marviks Shantoja, Nikolin Luci, Nikolin Zef Nenshati, Rozafa Shpuza, Senad Xhexhovi, Umberto Pali. I mblodhi ky kushtrim arti, teknika dhe zhanre, gjithçmos formë shprehëse krijuese, jo për të konkurruar, por për të dëshmuar se në Shkodër bëhet art.

Një vizitore në ekspozitën me artistë shkodranë, “Gjethet që harroi vjeshta”

Piktura, skulptura dhe fotografia u bënë bashkë për të rrëzuar “Gjethet që harroi vjeshta”, ndoshta jo për të zhvesh përfundimisht pemën e halleve dhe derteve të artistëve dhe të tempullit të artit, Shkodrës, por për ta dëbuar më tej dimrin e problemeve, me të cilat ballafaqohet arti dhe artistët shkodranë, vepra dhe veprimtaria e të cilëve, vijon të shpërfaqet sfidues, pamundësive dhe barrierave, për të qenë një përfaqësuese e denjë e traditës së shkëlqyer që Shkodra ka ushqyer në mote.

Galeri ODA i mblodhi 15 artistë shkodranë, për të tregu se në Shkodër ka jetë krijuese, bëhet art dhe jetohet me artin, për të dëshmuar shpirtin ngadhënjimtar të këtyre mjeshtrave, të cilët përpiqen duke bërë të pamundur.

Edhe pse kryebashkiaku aktual, Benet Beci dhe stafi i tij, janë përpjekur të ndryshojnë gjendjen prej paraardhësve, duke e asistuar me mbështetje artin dhe veprimtaritë artistike, duket se sërish ka probleme, sërish ka nevojë për mbështetje, sërish duhet të gjenden rrugë dhe mjete për ta mbajtur në jetë këtë shpirt.

Këtë më qartësisht dhe më të argumentuar e sjell zëri i ideatores dhe realizueses së kësaj ekspozite, Rozafa Shpuza dhe skulptorit, Ferid Kola, të cilët sollën në komunikimin me mediat që e përcollën këtë event, gamën e gjerë të problematikave që kërkojnë zgjidhje. Kujtojmë se artistët shkodranë, ata të mëdhenjtë e galerive prestigjioze të botës, kanë qenë dhe kanë mbetur modest në kërkesa dhe pretendime, edhe pse pesha e përfaqësimit të një Shkodre arti, ka qenë dhe mbetur ka e rëndë.

Drejtuesja e Galerisë, Rozafa Shpuza, sjell apelon për më shumë përkrahje ndaj nismave artistike, ndërsa  skulpturi, Ferid Kola, i cili krahas evidentimit të shqetësimeve që prishin atmosferën e jetës artistike të qytetit, shprehet se kjo ekspozitë dëshmon kreativitetin e artistëve përmes krijimtarisë së tyre.

Artistët pjesëmarrës në këtë ekspozitë sollën jo vetëm punët e tyre, por edhe gadishmërinë për të kontribuar në dinamizmin e jetës artistike të Shkodrës, pavarësisht mundësive modeste.

Kjo ekspozitë ndoshta nuk do të mund t’i rrëzojë të gjitha “Gjethet që harroi vjeshta”, por ato gjethe që do të mbeten do të bëjnë që dimri të trokasë pendueshëm në qytetin ku frymojnë jetë që gjallen në tablo, fotografi e skulptura, për të kurorëzuar gazmimin e artit në Shkodrën që e lindi, e përkundi dhe e ngjiti në apogje shpirtin krijues.

SHKARKO APP