Pipero: Ja si ndjehem pas vaksinës, u njoftova në mëngjes
Mjeku Pëllumb Pipero, i ftuar në Çim Peka LIVE, komentoi efektet e vaksinës, pasi ishte ndër të parët që mori vaksinën.
“Ndjehem i qetë, kam një dhimbje fare të lehtë në vendin e vaksinimit. Kaq për momentin. Nuk kam asnjë shqetësim tjetër. Efektet anësore zakonisht shfaqen gjatë orës së parë pasi bëhet vaksina, gjithsesi nuk kam ndonjë shqetësim”.
“Kisha dëshirë ta bëja vaksinën në studion tuaj, por kushtet e aplikimit nuk e lejojnë një komoditet të tillë. Ju kërkoj ndjesë por nuk munda ta realizoj. Kjo është vaksina e Pfizer dhe vaksinimi i plotë konsiderohet pas dozës së dytë,” tha Pipero.
“Nuk kam ndonjë informacion për sasinë e vaksinës që ka ardhur në vendin tonë,” shtoi ai, duke theksuar se ishte njoftuar sot në mëngjes për marrjen e vaksinës.
I pyetur nëse është normale që vaksina të bëhet në stadium, ai tha: “Kjo është një vendimmarrje e institucioneve respektive për të mundësuar hapësirat e nevojshme. Nuk jam specialist i fushës, por besoj se një vaksinë e tillë, mundësitë dhe organizimi për ta bërë atë brenda udhëzuesve, kërkojnë kushte të veçanta. Spitalet në këtë periudhë janë duke u marrë kryesisht me Covid dhe sëmundjet e tjera, kështu që besoj se është gjykuar më e arsyeshme të jetë një hapësirë më e gjerë”.
I pyetur nëse është i bindur se ka marrë vaksinën e Pfizer dhe jo vaksinën e gripit, Pipero tha: “Unë kam thënë se do jem i pari që do vaksinohem. Jam besimplotë te vaksina si mjet kryesor për parandalimin e sëmundjes. Unë i pashë me sytë e mi, i lexova me sytë e mi, i preka me duart e mia. Jam i sigurt 100 përqind që kam bërë vaksinën e Pfizer”.