Pipero “kundër” qeverisë: Virusi nuk ka fasha orari, muzika si dielli, shëron. Nuk e kam lexuar vendimin për klubet e natës
I ftuar në Ora News, mjeku Pëllumb Pipero ka ardhur në studion e lajmeve me maskë, ku tha se Covid-19 nuk ka orar dhe lëviz çdo moment me ne.
Sipas tij, muzika ashtu sikur dielli shëron, por problem janë të rinjtë që janë transmetues.
Pipero: Virusi lëviz me ne, sa kohë lëvizim në 7 ditët e javës virusi do të lëvizë me ne. Virusi nuk ka fasha orari. Unë besoj se ndalimi i funksionimeve të klubeve të natës dhe muzikës, nuk është qëllim në vetvete, por ka për objektiv frenimin e qarkullimin e virusin mes të rinjve që frekuentojnë lokalet e natës.
Muzika njëlloj si dielli, si ajri, apo mjedisi i hapur shëron. Problemi është se të rinjtë nuk e kanë kuptuar që janë transmetues të heshtur, pasi nuk sëmurën kur infektohen, por e transmetojnë virusin.
Të gjitha lokalet dhe baret, si ditën ashtu edhe natën, duhet të respektojnë protokollet e sigurisë. Klubi i natës është për argëtim. Nuk mund të kërcejmë 2 metra larg njëri-tjetrit. kjo është e dobishme për të frenuar përhapjen e virusit.
Duke folur për rëndësinë e maskës, Pipero ka bërë që maskën ta vërë edhe gazetarja e Ora News, Matilda Mcini.
Sipas Piperos, maska deri në daljen e vaksinës duhet të bëhet një mënyrë e dytë jetese.
Pipero: Nëse në fillime të pandemisë ne thonim që masa është e nevojshme në mjediset spitalore, tashme bota ka kuptuar që në gjithë këtë sjellje, maska duhet bërë mënyrë jetese. Unë e kam mbajtur maskën edhe në rrugë aty ku nuk është e detyrueshme. Unë mendoj se maska duhet të bëhet e detyrueshme në ambiente të mbyllura.
Maska duhet vendosur gjatë bisedës në ambiente të mbyllura. Ky virus transmetohet përmes spërklave të pështymës. Këto spërkla kalojnë, ndërsa maska nga mbron deri në 85%. Duhet respektuar maska dhe distanca. Sa kohë nuk kemi në zgjidhje globale sikurse është vaksina, maska mbetet një mënyrë e dytë jetese. Ky virus jashtë çdo parashikimi do të vazhdojë për një periudhë të gjatë.
Pipero tha se nuk e ka lexuar vendimin e qeverisë për ndalim e muzikës në lokalet e natës.
Pipero u shpreh se jeta e personave është më e rëndësishme se sa një fundjavë argëtimi.
Pipero: Unë nuk e kam lexuar të zbardhur urdhrin e qeverisë, por e kam dëgjuar sikurse e keni dëgjuar edhe ju, që ndalohet muzika pas orës 20:00, jo të mbyllet lokali. Mendoj se mund të shfrytëzohen mjediset e hapura dhe të ketë respektim të protokolleve. Jeta e një qytetari është shumë herë më e rëndësishme se sa një natë argëtimi në fundjavë, që do të jetë një kufizim 2-3 mujor.
U kërkoj të gjithë të rinjve që të bëjnë një sakrificë. Duhet mirëkuptim dhe secili nga ne të bëjë një sakrificë. Edhe kostoja ekonomike do të jetë e rëndë. Prandaj duhet mirëkuptim nga gjithë qytetarët. Askund nuk do të ketë mbyllje nëse respektohen protokollet.