Piro Milkani: Të dy e duam Çaplinin

(Botuar me 23 Tetor 1994 në KOHA JONE)
Nga Piro Milkani-

I dashur Vath!
Duke patur privilegjin që të jesh ndër shqiptarët e parë që ka patur mundësi të shohë filmin “L’America” të Xhani Amelios, një forcë e brendshme të shtyu të shkruash një artikull të gjatë jo me përshtypje të thjeshta por përpiqesh të analizosh se sa keq e ka parë ai Shqipërinë dhe shqiptarët. Ta themi që në fillim se vizioni im për këtë film është krejt i ndryshëm me tëndin, gjëra që në sferën e artit nuk janë të panjohura. Në jetë kam njohur njerëz të kulturuar që nuk e pëlqenin Çaplinin. Filmin e të madhit Bunjuel “E bukura e ditës” producenti e çoi në festivalin e Kanës dhe komisioni nuk e pranoi me motivin “se vepra të tilla ulin dinjitetin e festivalit”. Por producenti ishte producent dhe e kishte të qartë se futja e filmit në një festival do të thotë më shumë prestigj, më shumë spektatorë, për rrjedhojë më shumë para dhe e çoi në Venecia disa muaj më vonë. Filmi jo vetëm u pranua, por fitoi edhe “Luanin e Artë”. Më thuaj kush kishte të drejtë? Po ta lemë Bunjelin dhe të flasim për “L’America”. Rrethanat e sollën që të njoh më mirë Xhanin, veprën e tij dhe konceptin e tij për filmin. Edhe gjatë xhirimeve e ndjeu se shumëkush e kishte këtë dyshim: që filmi po bëhet me tendencë të keqe për Shqipërinë. Dhe kjo e bënte të mërzitej e të fliste gjatë pa pushim për të thënë se filmi i tij nuk do të jetë një film i tillë por një denoncim për pasojat shkatërrimtare të një diktature. Si artist me vizion të gjerë atë nuk e intereson e veçanta por e përgjithshmja, universalja. Ai bëri një film që të nesërmen e mbylljes së festivalit David Robinson, gazetari “Taims-it” (gazetës më të madhe të Anglisë) të shkruante se: Filmi i Amelios “L’Amaerica” nuk është film për Shqipërinë dhe shqiptarët, por mesazh universal i shpresës njerëzore. Kështu e kuptonte ai filmin për të cilin ndër të tjera shkruante se ishte padyshim filmi më i mirë i festivalit. Ty të vjen keq dhe të duket se Xhani me tendencë jep skena të shëmtuara të sjelljes brutale ndaj plakut që e mbylli në bunker. Po unë të pyes: vërtet s’ka humanizëm dhe ngrohtësi njerëzore në film? Nuk të bën përshtypje kur shqiptari ndan copën e fundit të bukës me italianin e krekosur? Nuk ka humanizëm gjesti i plakës në spital që i fal këpucët e vetme të burrit të saj italianit të sëmurë? Janë këto episode dhe shumë të tjera që e detyrojnë gazetarin e TV të Gjenovës me të cilin u njoha vetëm natën e premierës të më shkruajë si më poshtë: Filmi meritonte “Luanin e Artë” si vepra më e mirë e prezantuar në festival. Durim… “Unë pata veç kënaqësinë të njoh më mirë vendin tënd dhe humanizmin e pastër dhe të paprekur të shqiptarëve, paçka vështirësive që po kaloni. Shpresoj që së shpejti të bëj një vizitë në Shqipëri dhe të të takoj në Tiranë. Përzemërsisht miku yt Mario Karboni. Pra unë bëra një mik nga filmi. Ai do të jetë edhe miku yt ashtu si shumë italianë të mirë që edhe ti i ke njohur dhe i çmon. Se italianë nuk janë të gjithë si Xhino dhe Fiore (personazhet e filmit) që vijnë si çakej për të përfituar nga situata e rëndë në të cilën ndodhej Shqipëria në vitin 1991. Unë besoj se shqiptarët nuk ishin aq budallenj sa të gënjeheshin nga kuadrot e bukura të TV italian që të largoheshin në masë nga vendi i tyre si askush tjetër në Evropën Lindore. Jo! Shkaqe më të mëdha sociale i bëri ata të iknin nga vendi që ata e duan po aq sa edhe unë. Më beso se nuk është retorike kur them se shumë nga ata djem fusnin në xhepat e tyre të vjetër një copë dhe në një qese plastmasi para se të merrnin arratinë. Ishte deziluzioni, mungesa e shpresës apo dhe shkaqe të tjera që do të zbulohen më vonë që i detyruan ata të vepronin ashtu siç vepruan. Por mbi të gjitha ajo ishte një sfidë ndaj një regjimi në agoni. Mballomat e këtij regjimi për të sjellë në një stadium Albanon dhe Rominën ishin masa pa efekt. Kur filmi u shfaq në Milano diskutimi u bë në sheshin e Duomos dhe shumë prej spektatorëve ishin ata: djemtë e trageteve. Panë lot në sytë e tyre sepse ata në film gjetën fatin tragjik të tyre. Më beso, ata nuk janë të një mendimi me ty.
Kur Italia doli nga Lufta e Dytë Botërore dhe diktatura fashiste më e shkatërruar se kurrë, kineastë si Rosellini, Viskonti, De Sika, etj. me filmat e tyre e denoncuan këtë shkatërrim. Shumë njerëz në atë kohë mendonin se filma të tillë e turpëronin Italinë e ndër ta një politikan i ri me emrin Xhulio Andreoti deklaronte: rrobat e palara të shtëpisë nuk nxirren në Pazar. Dhe vërtet ndodhi që filmat u sulmuan e u mohuan jo vetëm prej tij por edhe nga shumë organe shtypi. Përkundër tyre, Evropa dhe Amerika zbuluan dhe çmuan më shumë se vetë italianë atë rrymë të re artistike që do të quhej neorealizmi italian. Sikur kineastët të kishin pasur merakun e Andreotit bota do të kishte humbur “Vjedhësin e biçikletave”, “Roma qyteti i hapur”, “Çoçaren”, e shumë filma të tjerë. Me këto filma e jo me “Takim ne Iskia” u bë e njohur dhe e dashur Italia. Këtë vizion ka edhe ish-djaloshi i varfër nga Kalabria Xhani Amelio, që kur shikoi skenat e trajtimit antihuman të autoriteteve zyrtare italiane në stadiumin e Barit vjen menjëherë në Shqipëri dhe vendos të bëjë një film për shqiptarët dhe dramën e tyre, sepse atë dramë ai e ka jetuar vetë kur i mungonte edhe copa e bukës. E të tillë artistë janë gjithmonë në anën e të varfërve e të uriturve. Ai e ka njohur këtë dramë në filmin e Pjetro Xhermit “Rruga e shpresës”, kur bashkatdhetarët e tij të varfër nga jugu i Italisë ndërmerrnin Odisenë e aventurave drejt Zvicrës së pasur. Vetëm 2 vjet përpara gruaja ime mundi të njohë hallat e saj për herë të parë. Pra iu desh të priste më se gjysmë shekulli për të takuar ato që kalonin pushimet çdo vit në anën tjetër të liqenit të Ohrit dhe bash për këtë ajo dhe prindërit e saj shkonin të pushonin në Pogradec. I ndante çdo verë vetëm një liqen që ishte më i pafundmë se çdo oqean. Sikur vetëm këtë të dinte shkrimtari Vargar Llosa, anëtar i jurisë së festivalit të Venecias, do ta kishte kuptuar më mirë filmin dhe do ta çmonte si duhej, por ai nuk mund të njohë të gjithë fatet tragjike që i kaluan shqiptarët në këto 50 vjet. Këto drama i njeh mirë regjisori i shquar Teo Agellopulos që po xhiron “Vështrimin e Uliksit” në gjashtë shtete ballkanike dhe një episod të vogël por shumë të bukur, takimin e dy motrave të ndara për 50 vjet e xhiron në Jug të Shqipërisë, në Kapshticë e Korçë. Për këtë kanë dijeni Ministria e Kulturës, ajo e Rendit Publik dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. A mund të thuhet për këtë grup kineastësh grek, francez, italianë, amerikanë, që hyjnë në Shqipëri pa dijeni e askujt dhe bëjnë çfarë të duan? Për të tjerë kineastë që hyjnë e xhirojnë unë nuk e di. Natyrisht që nuk mund të mos jem dakord me ty për gjithçka që shkruan. Dikush duhet të kujdeset më shumë që filmat e paktë shqiptarë të realizuar kohët e fundit të shohin sa më shpejt dritën e ekranit. Dhe ky dikush për mua është Ministria e Kulturës dhe organe të tjera. E vetmja forcë që ke ti dhe unë është të ngremë zërin. Ti thashë të gjitha këto se të dua si shok dhe të çmoj si shkrimtar e artist dhe shpresoj që një ditë përsëri së bashku mund të bëjmë diçka të bukur. Në fund të fundit ne të dy e duam Çaplinin. Të fala miqësore
Miku yt, Pirro Milkani

SHKARKO APP