PL: SPAK pengoi dhu*shëm Belerin të takojë Ilir Metën në burg

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka denoncuar SPAK-un, pasi sipas tij ka penguar në mënyrë të dhunshme kryetarin e PBDNJ, Vangjel Dule dhe eurodeputetin, Fredi Beleri të takohen me Presidentin e PL-së Ilir Meta, në ambientet e burgut 313 në Tiranë. Për të kjo bëhet në shkelje flagrante të ligjit dhe të drejtave të njeriut, duke e akuzuar Strukturën e Posaçme si vegël të Ramës, që nuk mund të tolerohet.

Postimi i plotë

Në shkelje flagrante të ligjit dhe të të drejtave të njeriut, SPAK ka penguar sot dhunshëm deputetin dhe kryetarin e PBDNJ, Vangjel Dule dhe eurodeputetin, Fredi Beleri të takohen me Presidentin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në ambientet e burgut 313 në Tiranë.

Ligji e sanksionon qartë se institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale mund të vizitohen pa autorizim nga deputetët dhe eurodeputetët. Por SPAK, i vetëshpallur mbi ligjin, shkel rëndë edhe të drejtat e njeriut, duke provuar botërisht aspektin kriminal të kësaj strukture, që funksionon vetëm si “veglë qorre” e Edi Ramës dhe “Rilindjes” dhe që si mision të vetëm ka izolimin në ekstrem, arrestimin, hetimin, përndjekjen dhe shantazhimin e drejtuesve të opozitës në funksion të axhendave elektorale, politike dhe personale të Shefit të Organizatës Mafioze që qeveris sot vendin.

Shkelja e rëndë e ligjit nga SPAK nuk mund të tolerohet. Në emër të Partisë së Lirisë, u bëj thirrje të gjitha institucioneve shtetërore dhe ndërkombëtare, si dhe organizatave të pavarura që mbrojnë të drejtat e njeriut, të reagojnë me forcë për të dënuar këtë akt skandaloz!

SHKARKO APP