Plagosi 5 besimtarë në xhami/ Miku i Rudolfit: Shfaqi probleme mendore në muajin e dytë të karantinës

Rudolf Nikolli

Rudolf Nikolli nga Burreli, hyri dje në xhaminë “Dine Hoxha” në rrugën e Kavajës dhe qëlloi me thikë 6 besimtarë. Dyshohet se 34-vjeçari vuan nga probleme të shëndetit mendor. Sipas prindërve, ai mjekohej për depresion dhe ankth.

Për “Shqipëria live” foli një nga miqtë e Rudolfit, Xhevdeti. “Kishte kohë që nuk takohej me njeri. Ishte në ankth, më thoshte që më përndjekin. U largua nga familja, nga shokët. Qëndronte larg lokaleve, kishte frikë kamerat, nuk mbante as smartfone, për këto mendime të tij imagjinare”.

Sipas Xhevdetit, problemet për Rudolfin nisën në muajin e dytë të izolimit për shkak të koronavirusit në Shqipëri, muajin prill të vitit të kaluar. “Ka nisur në muajin e dytë të izolimit. Nuk ka dalë nga shtëpia, nuk ka takuar familjarët. Kur u lirua lëvizja, familjarët e kanë vizituar, kuruar. Ai duhet të ishte në spital. Është kthyer nga Anglia para një viti i gjysmë. Ndryshimi u vu re në kohën e pandemisë. Më parë ka qenë në punë, hapi një biznes të vetin, por më vonë shfaqi probleme me depresionin”.

“Jam takuar një herë për kafe rastësisht, nuk e kam pyetur për asgjë, se e dija situatës, e lashë vetëm të fliste”. Sipas tij, Rudolfi është konvertuar nga katolik në mysliman. “Di që ka shkuar në xhami, por kjo që ndodhi dje ka lidhje me sëmundjen, me asgjë tjetër”.

SHKARKO APP