Plagosja e 40-vjeçarit në Shkodër, zbardhen detaje
Ngjarja e rëndë e ditës së djeshme në Shkodër, ku mbeti i plagosur Aleksandër Curaj, mësohet se 40-vjeçari dy prej katër plumbave i ka marrë në pjesë e gjoksit, ndërsa ka fraktura edhe në krah por ka arritur që të shpëtojë. Gjithsesi i plagosur vijon që të jetë nën kujdesin e mjekëve.
Ndërkohë, autori i dyshuar i plagosjes shtetasi Dedë Bici, i shpallur në kërkim ende nuk është arrestuar nga forcat e policisë.
Autori i dyshuar pasi kreu plagosjen, u largua me një biçikletë nga zona e këmbimit valuator, por arriti që t’i shpëtojë ndjekjes së policisë.
I plagosuri Aleksandër Curaj dhe autori i dyshuar Dedë Bici, kanë patur një lidhje familjare mes tyre, pasi Curaj është nipi i baxhanakut i Bicit.
40-vjeçari Aleksandër Curaj, i kishte një borxh parash shtetasit Dedë Bici që nuk ia kishte dhënë ende.
Autori i dyshuar prej disa kohësh i kërkonte që t’i shlyente borxhin, gjë e cila solli edhe konfliktin fizik e më pas plagosjen e 40-vjeçarit.
Një ditë më parë, fillimisht i plagosuri dhe autori janë përfshirë në një sherr fizik me grushte.
Një polic që ishte civil në atë moment, ka ndërhyrë duke i ndarë por të dy i kanë thënë policit se do ta zgjidhin vetë pasi kanë një problem lekësh.
Vetëm pak minuta më pas, shtetasi Dedë Bici, dyshohet se ka nxjerrë pistoletën që e kishte me vete dhe ka plagosur 40-vjeçarin Aleksandër Curaj, i cili mbeti i plagosur rëndë, por pas ndërhyrjes kirurgjikale nga mjekët e spitalit rajonal Shkodër, gjendja e tij u stabilizua edhe pse ende rrezikun për jetën nuk e ka kaluar plotësisht.
Ndërkohë, policia vendore e Shkodrës vijon punën për arrestimin e autorit të dyshuar që u largua me një biçikletë në mes të qytetit dhe për zbardhjen e plotë të kësaj plagosje, të ndodhur në orën 9:00 të 18 dhjetorit.