Plagosje me armë në Pluk të Lushnjës – Flamur Mane qëllohet brenda stanit të bagëtive

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në fshatin Pluk të Lushnjës, ku një person ka mbetur i plagosur pas një atentati me armë zjarri.
I plagosuri është identifikuar si Flamur Mane, i cili ka marrë plagë në kokë nga qitja me armë gjahu (çifte), ndërsa ndodhej në stanin e tij të bagëtive. Mësohet se ai ka qenë duke bërë roje nate kur persona ende të paidentifikuar kanë hyrë në ambient dhe kanë hapur zjarr ndaj tij.
Fillimisht, Mane është transportuar në spitalin e Lushnjës për ndihmën e parë, por për shkak të gjendjes së rënduar është dërguar me urgjencë drejt Tiranës për trajtim më të specializuar.
Dyshohet se atentati ndaj tij mund të jetë i lidhur me një vjedhje të ndodhur tre ditë më parë në të njëjtin stan, ku u raportua zhdukja e katër krerëve bagëti (dele).
Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.