Platforma “Po, për Shqipërinë”, Dashamir Shehi shpjegon se çfarë kërkon
Kryetari i LZHK-së, Dashamir Shehi, shpjegoi idenë e platformës “Po, për Shqipërinë”. Për të kjo platformë është një lloj garanti politik që do të jetë opozitare, e qendrës së djathtë, dhe një lloj garanti moral.
”Ideja është e shoqërisë civile në radhë të parë, ndërsa unë jam një lloj garanti politik që kjo platform do të jetë opozitare, e qendrës së djathtë, dhe një lloj garanti moral. Kjo platformë nuk është as parti dhe as grupim i ri politik. Është një hapësirë e re politike, që në radhë të parë është e mediave elektronike, e organizuar në mënyrë të tillë që anëtarët e saj të kenë mundësi të debatojnë midis tyre, të votojnë për ligje të ndryshme, me ide opozitare, por edhe të re”.
Shehi theksoi se opozita duhet të niste analizën për humbjen e zgjedhjeve, por në vend të kësaj, ka nisur një luftë “vëllavrasëse”.
”Unë kam dashur t’u kujtoj shqiptarëve që duhet të merremi me temat politike dhe jo me ”kush je ti e kush jam unë”. E dyta, kam dashur t’u kujtoj shqiptarëve se je me njërin-tjetrin, është si puna e bolshevizmit. Shqiptarët kanë të drejtë të jenë me asnjërin. Unë besoj se duhet të mblidhemi të gjitha palët, ka mijëra intelektualë e profesorë, apo edhe biznesmenë të majtë që e kuptojnë që nuk mund të ecë më ky vend me këtë regjim”.