Pluhuri afrikan mbulon Shqipërinë, priten temperatura deri në 26 gradë
Shqipëria është mbuluar sot nga një re pluhuri, e shkaktuar nga një fenomen natyror të zhvendosur nga Afrika Veriore. Ky fenomen do të vijojë edhe ditën e nesërme, ndërsa sipas ekspertëve temperatura pritet të rritet me mbi 20 gradë deri të enjten.
“Vendi ynë ndodhet nën ndikimin e masave të ngrohta me origjinë nga veri i Afrikës dhe sjellin me vete edhe pluhurin e Saharasë. Është një fenomen që vendi ynë është prekur disa herë. Është pothuajse gjithë Mesdheu i prekur, duke përjashtuar gadishullin Iberik, pjesa tjetër Europa qendrore, shkon deri në Holandë, Rumani, sipërfaqja që preket.
Përqendrimi gjatë ditës së sotme ka qenë më i lartë i grimcave të pluhurit në ajër dhe kjo e ka bërë shqetësuese për qytetarët pasi është e dëmshme për rrugët e frymëmarrjes, sjell problematika sa i përket shikimit horizontal dhe vertikal, si për transportin rrugor dhe atë ajror. Është e gjithë pjesa e perëndimore e vendit e prekur me përqendrim më të lartë të grimcave të pluhurit. Këto masa ajrore sjellin temperatura të larta, sot kishim rritje të menjëhershme. Kjo valë do na shoqërojë edhe ditën e nesërme. Të premten do ndihet edhe pastrimi i ajrit”, thotë specialistja e Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, Anira Gjoni.