Po hanim akullore me gruan, shpërthimi na çoi në ajër

 

Të plagosur rëndë nga ngjarja e djeshme e pas shpërthimit të bombolës së gazit mbetën edhe një çift të moshuarish që ishin ulur në një tavolinë para ëmbëltores. Ata po hanin akullore kur ndodhi shpërthimi i fuqishëm. Alfred Shani (në foto)  dhe Xhemile Shani, 67 e 60­ vjeç, janë dërguar me urgjencë në Spitalin e Traumës, ku më pas gruaja 60-­vjeçare është transportuar në QSUT, te Reparti i Djegieve Plastike, pasi kishte djegie të shumta në fytyrë e në trup.

Bashkëshorti i saj tregoi dje për gazetën se çfarë kishte ndodhur kur ai po hante akullore me të shoqen. “Isha ulur me gruan te një nga ato 4 tavolinat që pronarët e ëmbëltores kanë nxjerrë jashtë dyqanit. Uleshim shpesh aty, sepse banojmë afër dhe dalim herë pas here me gruan. Kam dëgjuar një shpërthim të fortë që na ka ngritur lart në ajër dhe më pas jemi përplasur në tokë. Pashë dhe flakë që dilte dhe nxitova të kërkoj ndihmë për vete dhe për gruan. Ishim të gjakosur, por ajo ishte më keq se unë.

Unë ja, vetëm një plagë në kokë kam. Ma qepën doktorët dhe tani jam mirë”, tregon 67-­vjeçari. Ndërsa shprehet se është në merak për bashkëshorten, pasi nuk di ende asgjë se si është ajo me shëndet. “Në fillim na sollën të dyve këtu tek Ushtaraku. Por ajo kishte djegur syrin, fytyrën, ishte djegur në trup dhe e nisën me urgjencë për te ‘Nënë Tereza’, shprehet Alfred Shani. Ndërsa e bija, e cila vazhdimisht qan për atë që u ndodhi prindërve, tregon se e ka marrë vesh nga televizionet atë që ndodhi dhe më pas i treguan banorët se ishin plagosur edhe babai e nëna e saj. “Vetë po qëndroj këtu me babin të shoh si do të bëhet, sepse nuk më lënë të futem brenda. Me mamin nisa vajzën atje te spitali”, shprehet ajo mes lotës

SHKARKO APP