Po humbasim demokracinë rishtare në frymë
Nga Aleksandë Çipa-
Po humbasim demokracinë rishtare në frymë
Prej gati dy muajsh, njerëzia masive ndodhet e kyçur në banesa, në “regjimin e karantinës”. Një term i huazuar prej leksikut të luftërave e sidomos, prej disiplinës së kohës të shërbesave ushtarake. Në vendin tonë karantina përmendej rëndom gjatë komunizmit si një fazë ushtrie ose izolimi në reparte. Por, jo pak herë, edhe si një term që kishte të bënte me një formë burgimi.
Kjo periudhë kyçjeje e urdhëruar zyrtarisht prej kryeministrit të vendit, zotit Edi Rama, nisi si masë nën qëllimin për mbrojtjen e shëndetit masiv të njerëzve. Arsyeja e parë është e drejtkuptueshme, se vjen prej virusit që po e mban botën në regjimin e ri me kohë të pacaktuar. Kjo pandemi tashmë e ka ndryshuar botën. Njerëzimi, strukturat shtetërore dhe organizatat ndërkombëtare në gjithë kontinentet ende nuk e kanë aftësinë të inventarizojnë ndryshimin e ndodhur, atë që po ngjet dhe në atë që pritet të vijë.
Aktualisht po na imponohet një ndryshim shumëplanësh dhe shumëformësh. Regjimi pandemik ka krijuar rrathët e parë viciozë të ndryshimit vijues. Në përpjekjen e parë analizuese shumë mediume dhe laboratorë gjeopolitikë të botës janë gjendur të papërgatitur dhe të paaftë për parashikim. Por, konstatimet e para janë tronditëse, sidomos për cënimin dhe prekjen që ky regjim pandemik po u bën lirive më themelore të njeriut dhe organizimit shoqëror. Në këto ditë, shumica e botës njerëzore dhe shteteve, ende nuk e kanë një raport njohjeje dhe indeksimi se sa të drejta po na deformohen dhe, pse jo, edhe po humbasim, dhe se sa i thellë do të jetë deformimi e deri ku mund të shkojë ai.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB) Antonio Guterres paralajmëroi këtë javë se pandemia e koronavirusit të ri COVID-19 është kthyer me shpejtësi në krizë për të drejtat e njeriut. “Mos harroni se kërcënimi nuk është njeri, por një virus”,- tha Guterres. “Të drejtat e njeriut nuk janë një çështje që mund të lihet për më pas në kohën e krizës. Ajo duhet të ketë në qendër njeriun”.
Apeli i drejtuesit të OKB-së së pari u adresohet qeverive në të gjithë botën, por specifikisht vendeve që karakterizohen nga instabiliteti demokratik dhe mungesa e gravitetit të shtetit ligjor. Shtetet që shfaqin këto dobësi, ku përfshihet edhe shteti shqiptar, e shndërrojnë lehtësisht në natyrë të tyre djallëzinë që pasqyrohet në konstatimin e Franc Kafkës se “ndodh shpesh që prangat të na japin më shumë siguri se liria”.
Pikërisht, në këtë realitet dhe në këtë konjukturë kaq komplekse, për të mbrojtur arkitekturën delikate të demokracisë sonë, ia vlen që në emër të syçeltësisë shoqërore ndaj lirive dhe demokracisë të mos lejojmë zhbërjen e fitoreve të munduara të këtij tranzicioni. E kam fjalën për tri shtylla të fitores që i ngriti me mundime dhe kosto dhe që i mbarti demokracia hibride e post ’90-ës në Shqipëri.
Punëdhënësi më i madh gjatë pandemisë dhe jo vetëm mbetet shteti. Ky rol i rikthyer i tij është bëmë e re për vuajtje dhe dasi të vjetra në vend. Pse jo, për një dramë dhe plagë më të mavijosur sociale. Regjimi i ditëve të pandemisë në këtë aspekt duket se e tradhëtoi bindjen e deritanishme të kryeministrit Rama për të mos qenë shteti punëdhënës absolut. Deri në fund të vitit kemi për të ndjerë pasoja dhe për të parë një realitetet krejt ndryshe nga këto muaj të parë të vitit. Kriza e pritshme në tregun e punës, shtimi i varfërisë dhe klithmat sociale për disa plagë të reja do ta kenë zë të fortë tubimin dhe protestën, pavarësisht se kush do të ngutet ta administrojë apo shtyjë në përdorime politike.Ekonomia jonë, nuk është as ajo që ka qenë deri në fillim të marsit (kjo tingëllon dy herë më keq kur rikujtojmë nivelin e ekonomisë sonë në tërësi). Struktura dhe sidomos kahet e lëvizjes së saj tashmë janë e do të enden në terren të panjohurash. Sikundër, orientimet e saj janë si një makinë e ndodhur në një cikël të dendur kryqëzimesh, pa semaforë, pa trafik të orientuar dhe fatkeqësisht në rrugë pa ndriçim.
Demokracia jonë, e shëmtuar dhe hibride deri para pandemisë, është në fat të panjohur në kohën e ardhme. Demokracia jonë e mbërritur deri në 2020 përmes risish atipike, por më së shumti mbarsur me deformime dhe shëmti autentike, në kohën e pandemisë, po çimenton status quo-në e elitës politike dhe sidomos të partitokracisë së 30 viteve të fundit. Në këtë pushtet dhe fuqi të saj, kjo elitë pa elitarizëm po mëson me shpejtësi se si ta shndërrojë në aleate apo favorizuese pandeminë. Në ditët e kyçjes së madhe njerëzore me kohë të pacaktuar, partitokratët tanë në fuqi po instalojnë dhe kompozojnë një kapitull shtesë sundimi. Këta qeverisës të rrotacioneve të shprishura të demokracisë hibride po projektojnë aktualisht shembjen e shpresës dhe premisave për të qenë pranë lehtësisë ndëshkuese për mëkatet, abuzimet dhe pse jo, krimet e tyre në vitet e shkuara dhe të tanishëm. Nën këtë regjim të dyfishtë të pandemisë dhe parisë, shqiptarët nuk po shfaqin as protagonizëm të rinjsh, as ide e projekte transformuese, përveçse po notojnë keqazi në një kënetë ankesash dhe kaosi.
Në regjimin e dyfishtë të pandemisë dhe të politikës mjerane, vijueshmërisht vetëm me dy palë politike e me katër protagonistë bajraktarë, shoqëria jonë po humbet trashëgiminë rishtare të pluralizmit përfaqësues dhe të demokracisë në frymë. Këtij qëllimi dukshëm dhe këmbëngulshëm i ka shërbyer vakuumi tronditës antikushtetues në institucionet e së drejtës, në ato të zgjedhjes dhe përfaqësimit, dhe sidomos të kontrollit dhe ligjzbatimit. Është kjo arsyeja që frustrimi, por sidomos kënaqësia e kastës partitokratike prej eklipsimit pandemik në hapësirën globale të këtyre shtrembërimeve, u shfaqet haptazi si kryeneçësi dhe si delir sundimtarësh. E dëshmon këtë jo vetëm qeverisësi në mandat, por edhe qeverisësit paraprirës, tashmë si uzurpatorë apo dirigjues të opozitarizmit.
Në Shqipërinë e kohës së re të pandemisë COVID-19, nuk është ajo ndjeshmëri që ekzistonte jo më tej së shkuarës, por pesë vjet më parë, për indekset vjetore të lirive tona themelore. Debati dhe diskutimi publik për luhatjet e renditjes, për cilësinë e arritjeve apo përkeqësimeve të demokracisë sonë, tashmë nuk janë në epiqendër të vëmendjes së shoqërisë. Ngjan se po e braktisim jo vetëm këtë axhendë, por tronditshëm këtë referencë. Degradimi i principeve të demokracisë dhe sidomos i parimeve që mishërojnë marrëdhëniet e individit me institucionet e vendit është jo vetëm thjesht një alarm politik, por një dilemë e mbarsur me të panjohura ardhmërie. Platforma e shtetit, që na ofron shërbime të informatizuara dhe infrastrukturë përcaktuese online nuk na jep mundësinë e plotë të japim notë për administratën dhe sidomos për pastërtinë e saj në qeverisje. Një ndër arsyet e këtij pamundësimi lidhet me manipulimin dhe mekanizmat e sofistikuara që ekzistojnë dhe krijohen rishtazi. Ky pamundësim përkundrazi, na shumon perceptimin e mundësisë më maksimale të gjurmëfshirjes së mëkateve qeverisëse. Shumëkush prej shqiptarëve që gjatë gati tri dekadave të fundit ka ditur të lëvizë dhe të njohë diversitetin e natyrave të shoqërive rajonale dhe atyre komunitare, nuk e ka të vështirë të krahasojë dhe të kërkojë ngjashmërinë me modelin e kërkuar dhe atë të premtuar në Shqipëri. Bashkësia e vendeve të BE-së është destinacioni ynë i paeklipsueshëm. Kjo pandemi nuk na e eklipson aspak këtë destinacion, ndonëse stacioni ynë aktualisht është një hapësirë dilemash dhe paqëndrueshmërish për shkaqe dhe zhvillime jashtë nesh. E gjendur në krye të udhëheqësisë së BE-së, ndonëse në epilog mandatesh, kancelarja gjermane Angela Merkel ofron diferencën konceptuale me shumë udhëheqës europianë dhe sidomos të rajonit tonë, përmes konsiderimit ndryshe të regjimit të pandemisë.
“Merkel pikturoi një fotografi të sfidës më të madhe që nga Lufta e Dytë Botërore, por ajo nuk foli për luftë.”,- shkruajti gazeta me ndikim Sueddeutsche Zeitung. “Ajo nuk mbështetej në fjalët luftarake ose në gjeste, por në arsyen e njerëzve. Askush nuk e di nëse kjo do të jetë e mjaftueshme, por toni i saj nuk do t’i shtyjë njerëzit të zhyten në pasiguri dhe frikë.”
Gjatë kohës që rrjedh, në regjimin e kësaj pandemie, Gjermania është shteti model për përgjegjësinë dhe demokracinë institucionale në Europë. Ballkanasit e vendit tonë në politikëbërje do të vlente ta ndiqnin këtë model, qoftë edhe me shtrembërime, e jo të huazojnë modele autoritariste. Në shoqërinë tonë fatmbrapshtë qenka e thënë të vuajmë përsëritshëm fatin e përshkruar prej Jeff Buckley se “ne kemi lindur që të jetojmë dhe kuptojmë; kemi lindur që të ndjekim disa rregulla neveritëse, por edhe të pësojmë metamorfozë përmes dhimbjes.”
Shqiptarët gjatë udhëtimit, shpesh me kohëhumbje të pakuptimta, grishen pareshtur në kërkim të ndryshimit dhe metamorfozës përmes dhimbjesh. Është kjo arsyeja potenciale psiko-sociale dhe politike, pse gjatë viteve të fundit, një pjesë e tyre me aftësi të plota pune, iu rikthyen rishtazi emigrimit drejt vendeve të BE-së. Në këtë udhëtim-kalvar të tejzgjatur, qytetarët e këtij vendi, po ndeshen me sfidën potenciale dhe riskun e humbjes së demokracisë rishtare në frymë.