“Po iu bën presion demokratëve që punojnë në Bashki”, Gjici akuza Rexhmatit: Asnjë pushim për shkaqe politike

Kreu i Bashkisë së Kukësit Safet Gjici ka pasur sot një deklaratë për mediat, ku ka hedhur akuza dhe në drejtim të kreut të PD-së në Kukës. Arif Rexhmati.

Sipas tij ky i fundit po i bën presion demokratëve që punojnë në Bashki që të largohen prej aty. Gjici shton se nën drejtimin e tij të Bashkisë nuk është larguar askush nga puna për shkak të përkatësive politike.

“Ata nuk duan që Kukësin ta shohin të zhvilluar, ne u rrimë qytetarëve pranë, dhe puna do e tregojë për mbështetjen tonë. 

Kur shkojnë dhe raportojnë në parti, thonë që Gjici ka hequr nga puna në Bashki përfaqësuesit e PD-së, ndërkohë që punonjësve nga ana tjetër u thotë që të largohen nga Bashkia. Kukësi është i vështirë për tu drejtuar dhe këtë e dinë të gjithë, unë e kam thënë dhe e them që në Bashki nuk do të diskutohet kurrë për çështje politike.

Unë nuk do heq askënd nga puna, që ka shkruar dhe ka punuar kundër meje, ata pak demokratë që janë larguar kanë ikun vetë nga puna, ende pa ardhur unë. Kanë ikur pasi nuk e ndiqnin dot ritmin e punës, unë bëj thirrje që të shmangim ekstremizmat, pasi jemi pak, dhe kemi shumë nevojë për investime.

Te zyrat politike bëjmë politikë sa të dojë zoti Arif, pasi nuk ka nevojë që tiu bëjë presion demokratëve që të largohen nga puna që bëjnë në Bashki. Unë kam ndërtuar një marrëdhënie shumë të mirë me ta, padyshim që ata që nuk ndjekin dot ritmin e punës në Bashki nuk kanë vend që të punojnë pranë meje.

Ju e dini shumë mirë që ne nuk kemi hequr nga puna asnjë zonjë apo zonjushë, sa kohë që ato kryejnë si duhet punën e tyre”, u shpreh Gjici.

Gjici u shpreh se brenda vitit pritet që të jetë funksional aeroporti i Kukësit, menjëherë pasi të jetë kryer procesi i shpronësimeve ndaj qytetarëve. Kryebashkiaku tha se aeroporti përveç punësimit do të sjellë dhe një rritje shumë të madh të numrit të turistëve.

SHKARKO APP