“Po luftojmë për mbijetesë”, tregtarët në Kukës takohen me nënkryetarin e PD. Spaho: Plan për rimëkëmbjen e ekonomisë

Tregtarët e Kukësit e cilësojnë negativ vitin që po lëmë pas 2019, pasi sipas tyre, ka thelluar varfërimin e banorëve dhe braktisjen e qytetit.

“Ne po luftojmë për mbijetesë”, i tha një tregtar nënkryetarit të PD, Edmond Spaho, i cili takoi sot disa prej tyre në rrugët thuajse të boshatisura të Kukësit.

Qytetarët përmendën 3 faktorë kryesorë që kanë ndikuar në thellimin e varfërisë dhe rënien e konsumit: Rritja e taksave, taksa e rrugës së kombit dhe largimi i të rinjve.

“Në krahasim me vitet e tjera, sivjet shumë më dobët edhe pse çmimet janë shumë të lira. Konsum nuk ka. Njerëzit po ikin”, tha një tregtar, ndërsa një tjetër llogariti sa ia ka rritur koston taksa e Rrugës së Kombit. “Bëj 15 rrugë, shpenzoj 30 mijë lekë për rrugën më muaj, pra 450 mijë lekë në vit për të marrë mallin, sa 2 rroga punëtori”.

Lidhur me taksën e Rrugës, PD ka qëndrim të qartë. “Prioriteti ynë, me ardhjen në pushtet nga vota e lirë e shqiptarëve, do të jetë heqja e taksës së Rrugës së Kombit, pasi kjo rrugë u ndërtua për të gjithë shqiptarët për një ekonomi më të zhvilluar dhe për të mos larguar banorët e Kukësit, Hasit dhe Tropojës”, theksoi nënlryetari i PD, Edmond Spaho.

Në takimet me tregtarët në Kukës, Spaho vuri në dukje prioritetet e PD për rimëkëmbjen e ekonomisë, veçanërisht, të biznesit të vogël.

“Deri në 140 milionë lekë xhiro do të konsiderohet biznes i vogël, do të paguhet vetëm 0.5% të xhiros për të gjitha llojet e taksave. Do të vendoset pullën tek dera e dyqanit dhe nuk do të ketë më të drejtë tatimori për të ardhur këtu. Çdo biznes do të përfitojë nga sigurimet shoqërore. Nga 15% që paguan sot, do të paguajë 9%. Çmimi i energjisë elektrike nuk ka arsye pse të rritet. Përkundrazi, ne do ta ulim. Do të heqim akcizën e karburantit që të ulet çmimi me 300 lekë”, tha Spaho.

Më tej, Spaho vuri në dukje se PD më krye të qeverisjes së vendit synon rikthimin e investitorëve të huaj, të cilët janë larguar nga Shqipëria për shkak të korrupsionit në nivelet më të larta të pushtetit dhe të taksave të larta.

SHKARKO APP