”Po mbahem p*ng”, Meta nga qelia: Duan të më asgjësojnë

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta hedh akuza të forta, kur thotë se po mbahet peng dhe është syrgjynosur për qëllime politike. Komentet i bëri përmes një letre për emisionin ”Debat” me gazetaren Alba Alishani në A2 CNN, ku tha se i ashtuquajturi “Trekëndëshi i Nevadës”, Mckonigal-Rama-Dumani, po interesohet për asgjësimin e tij politik.
”A kanë qënë të vështira kontaktet me familjarët dhe bashkëpunëtorët në PL? Unë takohem vetëm një herë në javë me familjarët e mi si të gjithë të paraburgosurit e tjerë dhe s’kam asnjë ankesë në këtë drejtim. Por sigurisht që unë jam rrëmbyer këtu për të m’u pamundësuar ekstremisht mundësia e takimeve apo komunikimeve me bashkëpunëtorët e mi dhe të gjithë anëtarët e simpatizantët e Partisë së Lirisë.
Po kështu për të m’u pamundësuar edhe komunikimi i drejtpërdrejtë me ju dhe të gjithë gazetarët, analistët dhe qytetarët. Unë jam “syrgjynosur” këtu për të m’u pamundësuar jo vetëm mbrojtja në publik ndaj të gjitha pseudo-akuzave, por mbi të gjitha për të shpalosur programin e mrekullueshëm dhe konkret të Partisë së Lirisë të 5 prioriteteve për 4 milionë shqiptarë plus.
Unë jam duke u mbajtur peng këtu sepse “Trekëndëshi i Nevadës”, Mckonigal-Rama-Dumani, duan të asgjesojnë totalisht bashkë me pluralizmin politik edhe sovranitetin e popullit shqiptar dhe çdo interes kombëtar të tij duke sorosifikuar çdo institucion të Shtetit dhe cdo qelizë të shoqërisë, përfshirë edhe shpërbërjen e familjes”, është shprehur Meta.