“Po sikur aty të ketë një bombë?!”, Arvizu kujton se çfarë mendoi kur protestuesit e 21 Janarit hynë në oborrin e Kryeministrisë
Ambasadori i SHBA-ve, Alexandër Arvizu teksa është bërë pjesë e emisionit ‘Real Story’ ndau përjetimet e tij për protestën e 21 Janarit.
Ai ndau momentin e përjetimit të tij kur protestuesit hynë me një makinë në oborrin e Kryeministrisë.
“Policia pastaj iku. Çfarë kuptuam më vonë, ishte se Garda e Republikës ishte një organ tjetër nga Policia. Për dy orë kishte kaos nëpër rrugë. Në atë moment shumica e demonstruesve ishin shpërndarë, sepse kishte gra e studentë. Por kishin mbetur ndoshta vetëm ca qindra, të gjithë burra, dhe duke hedhur gjëra mbi policinë. Në momentin që po binte errësira, sepse ishte janar… nuk e kujtoj saktësisht momentin, por besoj ishte ora 4, ose 4 e gjysëm, kur protesta ishte zbehur, një makinë e bardhë po shtyhej nga protestuesit brenda oborrit të Kryeministrisë. Në ato momente po mendoja: “po sikur aty të ketë një bombë?”, tha Arvizu.
Ambasadori e SHBA-ve, Alexandër Arvizu deklaroi se gjatë momentit kur ndodhi sulmi me armë në Bulevard, përpara Kryeministrisë, në 21 janar, ishte duke folur me ministrin e Brendshëm të asaj kohe, Lulzim Bashën dhe kryeministrin Sali Berisha.
Ai tha se në atë moment dëgjoi krisma.
ARVIZU: Dera u thye. Unë isha në telefon në atë moment duke folur me ministrin e Brendshëm të kohës, Luli Basha, si dhe me Kryeministrin. Nuk e mbaj mend nëse fola me Edi Ramën, por sigurisht që fola me njerëz që ishin afër tij. Inkurajova të gjithë të mbanin hapin dhe u duk se gjërat po qetësoheshin. Dhe pastaj mendova: “Tani do zgjasë dhe pak natën, policia do ndalojë ca vetë…”, por me shpresën që gjithçka të qetësohej. Dhe pikërisht në këtë moment, dëgjova krismat.
SOKOL BALLA: Presidenti i Republikës, ishte i vetmi, duhet thënë që në atë momenti, pra zoti Topi me të cilin unë kam komunikuar dhe kjo mund të jetë një arsye tjetër, në atë pak minuta që funksionuar celularët në Bulevardin Dëshmorët e Kombit pas vrasjeve. Unë kam marrë një deklaratë nga z.Topi i cili kërkonte të vihej në kontakt me Top Channel pasi donte të çonte një deklarate. Thjeshtë më ka marrë mua në telefon, nuk kemi folur shumë, thjeshtë unë i kam dhënë numrin e faksit të TV, ku ka shkuar deklarata Bamir Topit. Deklarata e Presidentit, ishte një deklaratë që tentonte të qetësonte gjakrat, siç edhe duhet të bëjë kreu i Shtetit në raste të tilla.