Po ti i dashur Kryeministër, sa antishqiptar i bie të jesh?!

Nga Gjergji Vurmo

I dashur KM

Shqipëria është aq e vogël & aq periferike sa është qesharake të mendosh se zullumet tona (në fakt, janë të tuat) ia kanë dalë të përkufizojnë çështjet e brendshme të Holandës.

Pretendimi se Holanda është edhe anti-shqiptare pastaj është…nuk e di… “patetik” më e pakta.

POR, le të imagjinojmë për një moment që holandezët… ashtu si edhe gjermanët, francezët & danezët janë çmendur dhe kanë vendosur të bëhen anti-shqiptarë.

Pra, le të imagjinojmë sikur gjithë bota e këtyre 4 shteteve që ishin skeptike vjet dhe u bënë madje edhe “anti-shqiptare” sivjet vërtitet rreth nesh (apo rreth teje më saktë).

Ta shthurim fundja imagjinatën tonë dhe të fillojmë të besojmë se rreth 170 milionë gjermanë, danezë, holandezë dhe francezë nuk kanë as edhe një kokërr halli tjetër … as COVID, as krizë ekonomike, as papunësi… dmth, kanë aq shumë kohë të lirë sa shyqyr që jemi ne shqiptarët, se përndryshe do kishin vrarë veten nga mërzia.

Le të çmendemi pak i dashur KM dhe t’i imagjinojmë për një moment të vetëm të gjitha këto dhe të besojmë vërtet se Shqipëria do të jetë tema kryesore e zgjedhjeve politike në Holandë vitin tjetër, ndërkohë që gjermanët, danezët e francezët do bëjnë thashetheme vetëm për ne nga mëngjesi deri në darkë…

Po ti i dashur KM, sa antishqiptar i bie të jesh?!

  1. Po, po …ti që e shtove kushtin e paketës anti-shpifje tek përfundimet e Këshillit kur gjithë BE-ja u ngjir vjet duke të thënë “Mos or trim!”?
  2. Ti, miku i përjetshëm i Vangjush Dakos, çfarë bëre që te mos kishim kushtin e “dënimit të krimit zgjedhor” për hapjen e negociatave?
  3. Sa antishqiptar i bie të jesh ti z. KM që detyrove “skeptikët” të të kujtojnë se rregullat e garës elektorale bëhen me konsensus?

Që të jem i sinqertë… unë nuk mendoj aspak se ti je antishqiptar. Afërmendsh nuk i shoh të tillë as holandezët, as gjermanët, as danezët e as francezët.

Jo i dashur KM, nuk shoh antishqiptarë. Në vend të tyre unë shoh thjesht një liderth të vockël që ka dështuar në mënyrë spektakolare me procesin e integrimit europian dhe me politikën e jashtme për 8 vjet rresht!

Pra, shpjegimi më racional për skepticizmin e disa vendeve anëtare të BE është se nga Samiti i Marsit 2020 dhe deri më sot ti ke bërë maksimumin që të mos adresosh kushtet e kërkuara për konferencën e parë ndërqeveritare.

Dhe unë e kuptoj plotësisht përse integrimi europian nuk është aspak prioritet për një liderth me halle gjigante si ti…

Nuk e di a do i zgjidhësh hallet e tua, por di të them me siguri se NUK do t’i bësh dot kurrë shqiptarët të besojnë se Perëndimi dhe europianët janë anti-shqiptarë.

SHKARKO APP