Po vijnë sherrxhinjtë anglezë si turistë!

 

Disa francezë i kanë rënë lapsit dhe kanë vendosur t'i kalojnë pushimet verore në Shqipëri. Udhëtimi i tyre është bërë më i lehtë, falë një linje avioni direkte Paris-Tiranë.

Herve, 25 vjeç, i cili e ka vendosur ta bëjë këtë udhëtim bashkë me 3 miq të tij, thotë: “Bëmë një llogari, pushimet na kushtonin lirë dhe vendosëm të nisemi drejt Tiranës. Do të qëndrojmë një natë e një ditë në Tiranë, disa ditë ne Jug dhe do të kalojmë kufirin për të parë edhe bregun e Malit të zi".

Disa prej tyre ankohen se një natë në bregdetin e Durrësit kishin hequr picirin pa ujë dhe drita. “U gëzuam se gjetëm një hotel të mirë, paguam vetëm 20 euro për krevat, por ai çmim i lirë na kushtoi shumë më shtrenjtë”, thotë njëri prej tyre për "Lapsi". “Dhe plehrat… shumë plehra të hedhura pa kujdes ndanë rrugëve dhe plazheve” shton një tjetër.

Ndërsa Jean- Pierre, një 40-vjecar që udhëton vetëm, vendosi të mos e anulojë udhëtimin e tij në veri të Shqipërisë, edhe pasi lexoi në media për fatin e dy turistëve çekë. “Janë ngjarje që ndodhin kudo”, thotë ai, duke shtuar se siguria e pushuesve do të jetë një nga sfidat e ardhshme të Shqipërisë.

“E dini, unë kam lëvizur pothuajse në të gjitha vendet e ish-bllokut komunist. Edhe ata kanë pasur të njëjtat probleme me ju, por tmerri juaj i madh do të jetë kur të zbarkojnë çarterat me grupe angleze. Janë turistët më sherrxhij dhe më andrallëprurës. Punëtorët anglezë që kanë rregulla shumë strikte në vendin e tyre dhe një polici të egër, zbarkojnë në vende si i juaji. Ata duan vetëm një gjë. Të bëhen tapë dhe të shkaktojnë trazira. E ku ka vend më të mirë sesa Shqipëria për ta bërë këtë? Këtu ku një birrë kushton 1 euro dhe një shots jo më shumë sesa 2 euro, është parajsë për ta.Do ta shihni do të zbarkojnë dhe do t'i keni burgjet të mbushur me këtë sherrxhij. Ka ndodhur kudo, edhe në Rumani edhe në Bullgari. Do të vijnë edhe këtu!"- përfundon ai

SHKARKO APP