Poezia e At Gjergj Fishta për meshtarin martir At Luigj Palaj, i lumnum dje nga Papa Françesku
Me 7 mars 1913 ushtrija malazeze mbytëte në Janosh (afër Gjakovës) mizorisht françeskanin At Luigj Paliq, sot i Lum, vetëm pse, si meshtar katolik e shqyptar i njimendtë, nuk mujt me pëlqye mizoritë, qi Sllavët bajshin mbi grigjë të tij, as pse s’dijti zemra e dhimbëshme e tij me mshehë mjerimin qi ndiete, kah shihte se n’ato vise thjesht shqyptare, kamba e anmikut mâ të madhit të kombit lête gjurmët e veta shkretnuese. (Shih “H.i D” Marc 1914). Në rasën e kryevjetorit të martirit, At Fishta, poet, me këte vjershë përkujton vrasjen mizore të këtij maritiri të Fesë e Atdheut, tue lypë prej Hyjit, qi të gjikojë mbi dhunë të bame Shqypnisë. Kjo u botue në “Hylli i Dritës”, marc 1914.
At Gjergj Fishta: Mbi vorr t’ A. Alois Paliq, ofm
- Barbarët… e mbyten! E pra
Ky ‘i dhunë kurrkuj s’ia bani;
Nuk bâni kand me kja:
Per t’keq s’i duel kurr zani;
Per Atme e shejten Fé
Punoi me t’drejtë m’ket dhé.
- I vorfni pa prind mbetun,
Qi kjan, per bukë i mjeri,
Te ky shujtën pat gjetun;
Ky lott prej sysh i a teri,
S’e la nen dhunë me fshâ
E át e mâmë iu bâ.
- Pse pra me e mbytë?…Trathtari,
E gjaksi e i patenzoni
E i trishtueshmi kursari,
Qi s’njeh se shk’âsht zakoni,
Kah t’duen ata po mbajn:
Pse kshtu me e mbytë t’pafaj’n?…
- Por, po; per shka të prujtun
Isht’ ky n’dy faje zhye,
Qi ndryshej nuk ka mujtun
Veç se me gjak me i shkmbye:
Shqypnin dote t’lirueme,
E Fén s’ndrrote t’bekueme.
- E per ket punë mizori,
Ushtari i Malit t’Zi
Qi mshrirë s’i njeh krahnori
Heshten i a nguli n’gji,
Edhe me tê të ngratit
Zemrën shporoi ai Fratit.
- U rrzue sherbtori i Zotit
—Heu! Si nuk plasi djerri!
E syt per t’gjatë të motit
Ndermjet anmiqve i erri:
Gjaku prej varrvet t’ngrata
Gurglloi mbi buca t’thata.
- O Perëndi i amshuem,
A thue tu’ i vue kjé trollin
Ndo’i rruzlli mâ t’lumnueshëm
Qi per nen qiellë mund t’ndollin
Kso punësh mbi ftyrë t’ksaj bote,
Pa shkrepun mnija Jote?
- Qe shkjau, harlisë krenijet,
Meshtarët âsht tue t’i mbytun;
Lterët t’u, seli hyjnijet,
Me gjak âsht tue t’i zhytun:
E rrfeja e Jote kisha
Por rrzon, e veç çan pisha!
- As gjaku, pra i Meshtarëvet
As gurt e letervet t’ue
S’mund reshkan mshrirë Shqyptarëvet
Nuk mujtkan mnin me t’ zgjue?
E fatin e Shqypnís
E lankan n’dorë t’shkjenís?…
- O e mjera, moj e mjera
Shqypni, se keq ké ngelun!
Se mirë, moj ty t’thau vera,
Qysh se shkjau âsht tue t’shkelun
E tue t’poshtnue pa dhimë,
Tue t’lanun n’vaj e n’brimë.
- T’kanë rrahë gjithkah me topa,
Tue t’djegë e tue t’shkrumue
T’kanë damun copa-copa,
Si t’ishe pa zot lshue,
E shk’âsht mâ fort per t’kja,
Me dorë t’Mbretnivet t’Mdha.
- O Zot! O Zot! Mostjetër
Per ketë pleqni trathtare,
Qi europa, rrênce e vjetër,
Bani mbi tokë shqyptare
Deh! Ti mos len qi niri
Kshtû t’a dhunojë pa hiri.
- Veç m’ty na e kemi shpresën
Se ‘i ditë Liri mund t’shohim;
Pse nierit fjalët e besën
Fort mirë sot po i a njohim;
Ai syt s’i prír kurr njeti,
veç ku mund t’grryejë per veti.
- Prandej o Zot, prej qiellet
Ti priri syt mbi né
E bân qi puna t’kthiellet,
Si âsht mirë për Atme e Fé;
E gjaku i ktij Meshtarit
T’kjoftë falë per komb t’Shqyptarit.
Nga A. Gjergj Fishta: “Mrizi i Zànavet, Shkodër 1941