Pojana: Qeveria po e kthen Teatrin Kombëtar në qebabtore politike

Klevi Pojana, nënkryetar i LRI-së, përmes një shkrimi të gjatë në facebook, ka bërë thirrje për të mbështetur aktorët, në qëndrimin e tyre ndaj Ministrisë së Kulturës, për të mos prishur Teatrin Kombëtar. ”Rreshtimi sot krah atyre që vizualizuan dhe përçuan me mjeshtëri historinë, heronjtë dhe vetë Shqipërinë tonë me gjithçka ajo mban na jep nder dhe fisnikëri”.

Pojana edhe pse i ri, ndaj shqetësimin se trajimi që po i bën shteti sot aseteve kulturore është antikombëtar, duke e cilësuar trajtimin ose më saktë, ai thotë se shteti i ka kthyer qëndrat në qebabtore politike.

”Parqet arkeologjike dhe qëndrat historike janë kthyer në qebabtore të rëndomta ose qoka politike duke i çvlerësuar dhe më shumë se sa vetë ‘koha’ e cila ndër vite është treguar bujare me ne, duke i amortizuar me ngadalë dhe kujdes këto pasuri të pazëvendësueshme të Shqipërisë, të cilat asnjëherë nuk e ndjenë përkujdesjen shtetërore pasi fondet për mirëmbajtje dhe restaurim u shndërruan në tendera korruptiv”,-shkruan më tej nënkryetari i LRI-së.

Për debatin mbi Teatrin Kombëtar, Pojana shkruan se: ”Ai vend ku çdo shqisë humane humbiste në element si aroma e mykut, ulëset e shkatërruara, ndriçimi i mjegullt dhe zhurmat e dyshemes, arrinte me magji të thithte mendjen e cdo spektatori duke na dhuruar si qumësht blete, ushqim për shpirtin”.

Shkrimi i plotë

Më vjen keq që shumica nuk reagon, kur këtu tek ne diskutohet mbi kulturën. Ka në fakt shumë kohë që tek ne me historinë, artin, kulturën dhe trashëgiminë kulturore bëhet ‘pazar’ dhe trajtohen si element pa rëndësi, përveç atyre aseteve ku shikohet se mund të përfitohet ekonomikisht dhe në këtë rast përfituesit e vetëm janë ‘biznesmen’ të lidhur me pushtetin.

Në vite, kanë munguar investimet dhe politikat e duhura për këtë fushë e cila sigurisht nuk është më primarja duke parë gjendjen ekonomike dhe shoqërore të vendit tonë, por është një fushë e cila mund të gjenerojë të ardhura dhe turizëm të jashtëzakonshëm për mijëra vizitorë që zgjedhin të shijojnë Shqipërinë cdo vit.

Do të hidhja me mijëra rrjeshta mbi trajtimin skandaloz të natyrës nga vetë ne e më saktësisht nga institucionet që kanë abuzuar duke lejuar shkatërrime në masë të florës dhe faunës, një krim nga i cili po vuajmë e do të vuajm gjatë, ne dhe brezat që do të vijnë, por nuk mund të mos flasësh sot për atë që është në fakt një ”krim” shtetëror.

Trajtimi që i bëhet nga shteti sot aseteve kulturore është antikombëtar. Parqet arkeologjike dhe qëndrat historike janë kthyer në qebabtore të rëndomta ose qoka politike duke i çvlerësuar dhe më shumë se sa vetë ‘koha’ e cila ndër vite është treguar bujare me ne, duke i amortizuar me ngadalë dhe kujdes këto pasuri të pazëvendësueshme të Shqipërisë, të cilat asnjëherë nuk e ndjenë përkujdesjen shtetërore pasi fondet për mirëmbajtje dhe restaurim u shndërruan në tendera korruptiv.

Dhe megjithëse ‘kohës’ duhet ti jemi falenderues, sot në inventarin e Ministrisë së Kulturës kemi mungesa të frikshme, rasti i fundit është ai i urës së Hoshtevës në Zagori, një dëshmitare pa gojë e neglishencës dhe mosndërhyrjes së atyre, që po të ishim në një vend normal, sot duhet të ishin në burg.

Por pa kaluar mirë ky lajm, një e çarë e madhe në murin e Kalasë së Gjirokastrës i ra me forcë këmbanës së alarmit, e megjithatë, nuk mundi përsëri të depërtoj në veshët e shurdhët të ministrisë dhe insitucioneve përgjegjëse.

Nuk duhet të çuditemi nëse një ditë Komiteti i Trashëgimisë Botërore dhe UNESCO të lodhen me ne dhe në vend të periudhave të provës për ruajtjen e statusit të mbrojtur të na çojnë për dreq, sepse paaftësia dhe dashakeqësia jonë institucionale e tejkalon çdo masë.
Pa u zgjatur shumë në detaje të tilla të cilat do të thyenin zemrën e cdo atdhetari, pasi këtu bëhet fjalë për pasurinë e Shqipërisë dhe provën tonë më të fortë të ekzistencës dhe lashtësisë, do të përqëndrohem shkurtimisht mbi debatin e fundit për Teatrin Kombëtar, dua të shpreh qëndrimin tim qytetar dhe të them se në ka diçka që më bën e na bën krenar para kujdo tjetër në botë , a thua se jetojmë në kushte barazie me artin italian apo frances është magjia e atyre aktorëve që dolën në mbrojtje të një ‘institucioni’ publik e artistik që vazhdon të prodhojë art e vlera në Shqipëri.

Rreshtimi sot krah atyre që vizualizuan dhe përçuan me mjeshtëri historinë, heronjt dhe vetë Shqipërinë tonë me gjithçka ajo mban na jep nder dhe fisnikëri.

Asnjë kullë apo gradaçelë, nuk do mund dot kurrë të arrijë lartësinë e Ndrenikës me shokë, prandaj na duhet të jemi njëtrajtësisht bashkë, pa asnjë dallim politik pas tyre në këtë betejë për artin, vlerat dhe të bukurën.

Teatri Kombëtar, ai vend ku çdo shqisë humane humbiste në element si aroma e mykut, ulëset e shkatërruara, ndriçimi i mjegullt dhe zhurmat e dyshemes, arrinte me magji të thithte mendjen e cdo spektatori duke na dhuruar si qumësht blete, ushqim për shpirtin.

Unë jam me aktorët!

SHKARKO APP