Policia arreston 54-vjeçarin, fuste në grackë këngëtarët VIP
Në prangat e Policisë së Tiranës ka rënë një 54-vjeçar. Ilir Muzhaqi dyshohet se ka mashtruar disa biznesmenë të ndryshëm. Muzhaqi paraqiste mandate të dyshuara të falsifikuara, duke përvetësuar shuma të ndryshme parash. Jo më kot, edhe operacioni i policisë mori emrin “Mandati”.
“Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi i shtetasit Ilir Muzhaqi, 54 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për mashtrim. Ky shtetas, nëpërmjet mashtrimit, duke paraqitur dokumente (mandate) të dyshuara të falsifikuara, ka përvetësuar shuma të ndryshme parash, nga biznesmenë të ndryshëm”, njoftoi policia.
Ilir Muzhaqi mësohet se ka qenë i dënuar në vitin 2015 për të njëjtën vepër penale. Muzhaqi mashtroi disa këngëtarë shumë të njohur aso kohe, më konkretisht Petrit Lulon, Kozma Dushin, Redon Makashi, Gjergj Jorgaqi të cilëve u prezantohej si zyrtar i Tatimeve.
Për të justifikuar veprimtarinë e tij, Muzhaqi kishte lidhur disa kontrata me këngëtarë të ndryshëm ku merrte përsipër të mbronte të drejtat e tyre dhe në varësi të përfitimeve që do të nxirrte ai do t’i shpërblente ata. Nga hetimet e Prokurorisë, rezultoi se nga viti 2012 deri në 2014-ën, Ilir Muzhaqi kishte përvetësuar 5 milionë lekë të reja.