Superoperacioni i policisë në Tiranë, Fushë-Krujë, Bubq dhe Nikël, arreston dy persona, sekuestrohet kokainë e automjet luksoz
Një operacion i gjerë i Policisë së Shtetit, i zhvilluar në Tiranë, Fushë-Krujë, Bubq dhe Nikël, ka çuar në arrestimin në flagrancë të dy personave, ndërsa janë sekuestruar lëndë narkotike e dyshuar kokainë, një armë e ftohtë dhe një automjet luksoz.
Kontrollet u realizuan nga Forca e Posaçme Operacionale dhe Forca e Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Rrugore, në kuadër të masave për rritjen e sigurisë publike dhe goditjen e veprimtarive të paligjshme.
Komunikimi i Drejtorisë Vendore e Policisë Tiranë
Vijojnë kontrollet intensive në terren për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive, si dhe për rritjen e parametrave të sigurisë.
Kontrolle edhe në rrethin e Krujës.
Arrestohen në flagrancë 2 shtetas, sekuestrohen lëndë narkotike e dyshuar kokainë, armë të ftohta dhe një automjet luksoz.
Forca e Posaçme Operacionale dhe Forca e Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Rrugore, kanë intensifikuar kontrollet në terren, me fokus evidentimin e armëmbajtjes pa leje, posedimit të lëndëve narkotike, kapjen e personave në kërkim, si dhe kontrollin e mjeteve luksoze, mjeteve të blinduara, automjeteve me xhama të errësuar tej normave të lejuara, përfshirë edhe xhamin e përparmë, si dhe të mjeteve me modifikime që shkaktojnë zhurma shqetësuese në qytet.
Në kuadër të planit të masave për rritjen e parametrave të sigurisë dhe për parandalimin e goditjen e paligjshmërive, shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale dhe Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Rrugore, kanë zhvilluar kontrolle të befasishme në akset kryesore rrugore dhe në zona të ndryshme të Tiranës, si dhe në Fushë-Krujë, Bubq dhe Nikël.
Si rezultat i kontrolleve:
• janë kontrolluar dhe verifikuar 87 automjete;
• janë verifikuar 118 shtetas;
• janë konstatuar dhe hequr 34 xhama të errësuar, në kundërshtim me dispozitat e Kodit Rrugor, si dhe janë vendosur masa administrative ndaj drejtuesve të mjeteve që qarkullonin me xhama të errësuar në kundërshtim me ligjin;
• janë shoqëruar 12 automjete dhe 16 shtetas për verifikime të mëtejshme;
• është arrestuar në flagrancë një shtetas, pasi gjatë kontrollit iu gjet një sasi lënde narkotike e dyshuar kokainë;
• është arrestuar në flagrancë një shtetas, pasi gjatë kontrollit iu gjet dhe iu sekuestrua një armë e ftohtë (shufër metalike);
• është shoqëruar një shtetas, pasi kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, ndërsa u sekuestrua automjeti luksoz që përdorte.
Kontrollet do të vijojnë në mënyrë të pandërprerë, me tolerancë zero ndaj çdo shkeljeje të ligjit, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe rritjen e sigurisë për qytetarët.
KOHA JONË SONDAZH

