Policia e Shkodrës: Ja e vërteta e vdekjes së Skrelës
Policia e Shkodrës ka sqaruar një ngjarje që në media u përfol se një person nga Kosova ksihte gjetur vdekjen pasi kishte rënë në kontakt në energjinë elektrike.
Uniformat blu të Shkodrës, sqarojnë se në urgjencën e spitalit rajonal Shkodër, ka shkuar i shoqëruar nga familjarët e tij Kadri Skrela, 55 vjeç, banues në Tiranë , i cili ka ndërruar jetë.
“Menjëherë është nisur grupi hetimor për sqarimin e situatës, ku nga deklarimet e familjarëve ka rezultuar se ky shtetas ka qenë në stadium për të parë ndeshjen e futbollit Shqipëri-Maqedoni në Shkodër, dhe pas ndërprerjes së ndeshjes ky shtetas është larguar me familjarët, ku gjatë rrugës ka pasur probleme (patologji) me zemrën”, thuhet në njoftimin e policisë.
Nga rezultati paraprak i ekspertizës mjeko-ligjore, në trupin e viktimës nuk janë konstatuar dëmtime të tjera, dhe vdekja dyshohet të jetë shkaktuar si pasojë e një infrakti në zemër pasi ky shtetas para disa kohesh kishte patologji në zemër.
Në lidhje me raportimin në media të këtij rasti, Policia e Shkodrës shprehet se ‘si më sipër ju sqarojmë se si rezultat i deklarimeve të personave që e shoqëronin dhe kqyrjes së vendit të ngjarjes rezulton se shkaku i vdekjes është për shkak të patologjisë dhe jo nga shkarkesa elektrike, siç është njoftuar në media’
Materialet për këtë ngjarje i përcillen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprime të mëtejshme.
KOHA JONË SONDAZH

