Policia e Shtetit është pjesë e operacionit për lirimin e 11 emigrantëve të marrë peng në Mal të Zi

Policia e Shtetit në bashkëpunim me Europol dhe Policinë e Malit të Zi ndërmorën operacionin e përbashkët “Kidnaping”, të zhvilluar në territorin e Malit të Zi, për lirimin e 11 emigrantëve nga vendet e treta, të cilët ishin marrë peng nga emigrantë afganë. Policia e Shtetit njofton se pengmarrësit, emigrantë afganë, 2 prej të cilëve të arrestuar në Mal të Zi, i mbanin pengjet në një territor malor në Mal të Zi, nën kërcënimin e armëve, dhe kërkonin 50 000 euro për t’i liruar.

“Si rezultat i angazhimit maksimal, në një operacion ndërkombëtar për lirimin e 11 shtetasve (emigrantë ilegalë, nga vendet e treta) që mbaheshin peng në Mal të Zi, Sektori për Hetimin e Trafiqeve në Drejtorinë për Hetimin e Narkotikëve në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSH, nëpërmjet marrjes së informacionit dhe shkëmbimit të tij në kohë reale, u bë e mundur organizimi i operacionit ndërkombëtar të koduar “Kidnapping”.

Policia Shqiptare ka siguruar informacione për vendndodhjen e këtyre shtetasve dhe për elemente të tjera që çuan në identifikimin e autorëve. Informacionet u shkëmbyen nëpërmjet Europolit, me partnerët malazezë, të cilët angazhuan shërbimet e tyre policore dhe ushtarake, krehën zonën dhe mundësuan lokalizimin dhe kapjen në Mal të Zi, e 2 prej autorëve të rastit, emigrantë ilegalë nga Afganistani”, njofton Policia e Shtetit.

“Nga hetimet dyshohet se këta dhe dy shtetas të tjerë janë të implikuar dhe në raste të tjera pengmarrjeje në të njëjtën zonë. Gjithashtu, u gjetën 11 emigrantët e marrë peng, të cilët ishin dhunuar nga shtetasit afganë. Operacioni i sotëm është tregues i qartë i bashkëpunimit të suksesshëm të Policisë së Shtetit me homologët e Malit të Zi. Policia e Shtetit Shqiptar mbetet e angazhuar për të kontribuar me të gjitha kapacitetet e saj, për finalizimin e operacioneve me rëndësi ndërkombëtare”, përfundon njoftimi.

SHKARKO APP