Policia gjeti turisten e humbur në Karaburun

Shërbimet e Policisë Kufitare Dhërmi, në bashkëpunim me Forcën Delta, Administratën Rajonale të Zonave të Mbrojtura Vlorë dhe Policinë e Orikumit, i erdhën në ndihmë një turisteje nga Austria, e cila kishte humbur rrugën gjatë eksplorimit në gadishullin e Karaburunit dhe nuk mund të kthehej pas.

Mëngjesin e ditës së sotme, shërbimet e Policisë Kufitare Dhërmi morën njoftim nga një operator turistik se një turiste e huaj kishte humbur rrugën në një zonë të pyllëzuar në Karaburun dhe kërkonte ndihmë. Menjëherë u krijua një grup pune nga shërbimet e Policisë Kufitare Dhërmi dhe Forca Delta, në bashkëpunim me specialistin e Administratës Rajonale të Zonave të Mbrojtura Vlorë dhe Stacionin e Policisë Orikum, për të nisur kërkimet.

Pas disa orësh kërkimesh, u bë i mundur lokalizimi i turistes austriake, në zonën e quajtur “Gjiri i Nezhës”, të cilës iu dha ndihma e nevojshme dhe u transportua drejt Himarës me mjetin lundrues të Policisë Kufitare, në gjendje të mirë shëndetësore. Turistja falënderoi shërbimet për reagimin dhe mbështetjen e ofruar.

Swiss Digital Desktop Reklama

Policia e Vlorës mbetet e angazhuar për të ndihmuar qytetarët dhe turistët në çdo situatë që kërkon ndërhyrje, duke garantuar sigurinë e tyre në çdo moment.  Për çdo rast emergjence, mund të kontaktoni në numrin pa pagesë 112.

Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Si ishte viti 2025 për ju?