
Policia e Fierit ka finalizuar fazën e dytë të operacionit “Hija e Natës”, duke gjetur dhe sekuestruar tre automjete të vjedhura, të cilat dyshohet se do të përdoreshin për ngjarje kriminale.
Sipas Policisë, dy prej mjeteve ishin vjedhur më 13 nëntor në Mallakastër, ndërsa automjeti i tretë ishte vjedhur më 13 shtator në Divjakë. Pas hetimeve dhe kontrolleve në terren, automjetet u lokalizuan në Fushë-Mamurras, Kurbin dhe në Borizanë të Krujës.
Gjatë operacionit janë sekuestruar edhe sende të tjera që dyshohet se janë përdorur për realizimin e vjedhjeve dhe që pritet t’i shërbejnë hetimit.
Në fazën e parë të operacionit ishin zbardhur pesë raste të vjedhjes së automjeteve. Një prej personave të dyshuar u arrestua, ndërsa dy të tjerë u shpallën në kërkim. Sipas hetimeve, grupi dyshohet se vidhte automjete me qëllim përdorimin e tyre në ngjarje kriminale.
Policia e Fierit bën të ditur se hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe kapjen e të dyshuarve që ndodhen në kërkim.