Policia jep njoftimin e parë zyrtar për atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja

Atentat prokurorit Arjan Ndoja. Pasditen e sotme rreth orës 16:00 prokurorit Ndoja i është bërë një atentat me armë zjarri te mbikalimi i Shkozetit, ku ka mbetur i plagosur së bashku me tre personat që ndodhej në makinë. Ndoja ka qenë duke udhëtuar me makinën e tij në drejtim të Durrësit së bashku me dy kriminelë, njëri prej të cilëve është Landi Muharremi, i njohur për disa vepra penale dhe si i ‘forti’ i Shijakut dhe një grua.

Prokurori po udhëtonte me makinën tip “Benz” me targa AA 333 ZD. Makina ka dalë nga rruga duke përfunduar në një kanal si pasojë e devijimit që ka bërë pas të breshërisë me armë zjarri. Prokurori Ndoja ndodhet jashtë rrezikut për jetën nga plagët që ka marrë, ndërsa dy kriminelët janë në gjendje të rëndë. Ende nuk dihet gjendja shëndetësore e gruas.

Informacion paraprak

Ne aksin rrugor Durrës – Tiranë në afërsi të mbikalimit të Shkozetit, rreth orës 16:30, në afërsi të vendit të quajtur “Mbikalimi i Shkozetit” kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të mjetit me targa AA 333 ZD, e për pasojë janë plagosur shtetasit A.L., 48 vjeç, A.N., 44 vjeç dhe A.M., 30 vjeç.

Shtetasi A.M. është nisur për mjekim të specializuar në Spitalin e Traumës në Tiranë, ndërsa dy shtetasit e tjerë ndodhen në Spitalin Rajonal Durrës, jashtë rrezikut për jetën.

Policia e Durrësit është vënë në ndjekje të autorëve, po krihet zona dhe në të gjitha akset rrugore që lidhen me Durrësin janë ngritur pika kontrolli.

Për zbardhjen e ngjarjes  është ngritur menjëherë një grup i posaçëm hetimor nga Departamenti i Policisë Kriminale, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës dhe Drejtoria Vendore e Policisë Durrës.

Policia e Shtetit fton këdo që mund të ofrojë informacion në ndihmë të hetimit të shpejtë të ngjarjes të telefonojë falas në numrin 112.

SHKARKO APP