Vatra zjarri në disa Ministri, policia me plumba gome kurse protestuesit hedhin gurë
Ora shënon 17:23 dhe përshkallëzohet protesta studentore në Tiranë. Protestuesit kanë hedhur breshëri molotovësh drejt Policisë, e cila qëndronte e rreshtuar përballë tyre dhe që kishin ngecur mes Ministrisë së Bujqësisë dhe asaj të Ekonomisë. Pas hedhjes së molotovëve, flakët kanë shpërthyer te këmbët e efektivëve, ndërsa menjëherë ndaj protestuesve është hedhur ujë me presion, duke nisur shpërndarjen e tyre.
Policia e Shtetit po përdor plumba gome dhe kjo vjen pas tensioneve të krijuara në zonë, ku policia ka përdorur më herët gaz dhe ujë, ndërsa protestuesit kanë hedhur gurë në drejtim të forcave të rendit. Përplasjet po zhvillohen pranë kordonit policor, i vendosur për të penguar avancimin e protestuesve drejt Kryeministrisë.
Tensionet janë rikthyer, ku protesta është shoqëruar me përplasje mes demonstruesve dhe forcave të policisë. Efektivët kanë përdorur gaz dhe ujë për të shpërndarë turmën, ndërsa protestuesit janë kundërpërgjigjur duke hedhur gurë në drejtim të policisë. Për të ndaluar lëvizjen e protestuesve drejt Kryeministrisë, uniformat blu kanë krijuar një kordon sigurie, duke tentuar të frenojnë avancimin e turmës. Situata vijon të mbetet e tensionuar, ndërsa protesta po zhvillohet mes përplasjeve dhe përballjes së drejtpërdrejtë mes palëve.
Është ora 16:30 dhe protesta e qytetarëve në Tiranë është shtrirë edhe përtej Bulevardit ”Dëshmorët e Kombit” dhe trazirave para Kryeministrisë, duke kaluar në rrugicat e Tiranës. Policia po ndjek protestuesit këmba-këmbës në zonën e ”Zogut të Zi”, ndërsa gjatë përplasjeve janë djegur kazanë të mbeturinave. Në terren janë vendosur autobotët e ujit, të cilët po përdoren në përpjekje për të shpërndarë turmën. Situata mbetet e tensionuar, me efektivët e policisë dhe protestuesit përballë njëri-tjetrit.
Tre persona kanë mbërritur deri më tani në Spitalin Universitar të Traumës, pas incidenteve të shënuara gjatë protestës së 18 tetorit. Lajmi bëhet i ditur nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, në një njoftim të publikuar në orën 16:00. Personat që po marrin trajtim mjekësor janë një efektiv policie, një i mitur 15-vjeçar dhe një përfaqësuese e medias. Gjendja shëndetësore e të treve paraqitet e qëndrueshme. Ata po kryejnë ekzaminimet përkatëse dhe po marrin trajtimin nga stafet mjekësore dhe infermierore.
Ora shënon 15:40 dhe përplasja mes protestuesve dhe policisë u zhvendos para Kryeministrisë, ndërkohë që protesta është në ditën e 6-të saj. Studentët dhe gjimnazistët lëshuar një breshëri gurësh në drejtim të autoboteve dhe uniformave blu. Më herët sot incidente të dhunshme u shënuan te Ministria e Arsimit, si dhe te selia e PS, ku protestuesit thyen xhamat e godinës. Protestuesit kanë ndaluar para selisë së Partisë Socialiste, ku kanë nisur ta sulmojnë godinën me gurë, duke goditur edhe pjesën e derës dhe duke thyer xhamat. Forcat e Policisë ndodheshin pranë zonës, por nuk ndërhynë menjëherë. Pak çaste më vonë, efektivët hodhën gaz lotsjellës me qëllim shpërndarjen e turmës.
Sakaq nga brenda selisë, kanë dalë disa persona me shkopinj duke sulmuar protestuesit. Ata kanë thënë se janë anëtarë të Partisë Socialiste. Nga ana tjetër, policia ndërhyri duke hedhur gaz lotsjellës dhe ujë me presion drejt protestuesve me qëllim shpërndarjen e tyre.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar ashpër për protestën e zhvilluar pranë selisë së Partisë Socialiste, duke akuzuar organizatorët se pas saj qëndrojnë persona të paguar dhe ndikime të huaja. Në një mesazh të publikuar, Balla i drejtohet Sali Berishës, duke pretenduar se personat e përfshirë në protestë janë të financuar prej tij, si edhe nga Agron Shehaj dhe Arlind Qorri. “O Sali Largoji urgjent njerëzit që çove tek selia e Partisë Socialiste! Janë të gjithë njerëzit e tu të paguar nga ti dhe nga Agron Shehaj, Arlind Qorrri dhe duart e huaja. Kush donte prova e kujt është protesta besoj e morët”, shkruan Balla.
Përplasjet nisën më herët pranë Ministrisë së Arsimit, ku protestuesit sulmuan me gurë dhe molotov autobotin e policisë. Uniformat blu u kundërpërgjigjën me gaz lotsjellës dhe ujë me presion, duke bërë që turma të zhvendosej drejt qendrës së kryeqytetit. Bilanci i pesë ditëve të para të protestave ishte 272 persona të lënduar, mes tyre 169 punonjës policie, 82 protestues dhe 21 kalimtarë.
Protesta e sotme nisi me një detaj ndryshe, ku disa të rinj kanë kërcyer dhe kënduar në mes të rrugës, para efektivëve të Policisë. Njëri prej protestuesve, pasi u ka bërë thirrje bashkëprotestuesve të mos ushtrojnë dhunë ndaj efektivëve të Policisë, si dhe këtyre të fundit që të mos dhunojnë protestuesit, në shenjë revolte grisi certifikatën që i ishte dhënë nga ish-ministrja e Arsimit, Besa Shahini, si fitues i Olimpiadës së Historisë.
Pas pak momenteve qetësie, nisën tensionet dhe hedhja e gurëve në drejtim të policisë, e cila është po qëndron pranë Ministrisë së Arsimit. Nga tensionet ka mbetur e lënduar një gazetare, e cila u largua nga zona e protestës me ambulancë. Polica më pas i ka larguar ata drejt qendrës, teksa disa prej protestuesve janë shoqëruar në komisariate.
Fotot nga protesta
Lexoni edhe:
17-vjeçari kapet sërish nga Policia, historia e tij u bë virale në rrjet: Nuk dua ta lëndoj tjetrin
3 persona të lënduar gjatë protestës, mes tyre një 15-vjeçar
Policia ndjek protestuesit në rrugicat e Tiranës, të rinjtë djegin kazanët e mbeturinave
Taulant Balla poston foton nga brenda selisë së PS-së: Sali, largoji urgjent njerëzit
RENEA në protestë, Policia: Morëm telefonatë në sallën operative. U rrezikohej jeta efektivëve
Protesta merr tjetër ritëm/ Daulle dhe valle shqiptare në Rrugën e Durrësit
Vlorë/ Qarkullonte me armë zjarri dhe gjahu pa leje, arrestohet 40-vjeçari
65 të lënduar nga protesta, 12 prej tyre ende të shtruar te Trauma
Pas sulmit me flakë, Gjykata e Lartë blindon dritaret me mbrojtëse hekuri
Masa te Kryeministria, hiqen pllakat e betonit nga trotuaret
Si duhet lexuar deklarata e ambasadës së SHBA dhe vendosmeria e kryeministrit sot për Protestën
Kryeministri: RENEA do dali prapë dhe iu heqin maskat, atyre me maska!
Rama: Neutralizuam një dron me eksploziv që do godiste kryeministrinë










