Policia reagon për vetëvrasjen e 52-vjeçarit në komisariat, në hetim 2 efektivë

Policia e Shtetit ka reaguar për vetëvrasjen e 52-vjeçarit brenda komisariatit të Policisë në Durrës. Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave ka nisur hetimet për dy punonjës policie. Viktima është 52-vjeçari Tonin Tuci. Sipas policisë, mbrëmjen e djeshme ai ishte shoqëruar nga policia, pasi familja e kishte denoncuar për dhunë.

Nga hetimet paraprake, SHÇBA thekson se viktima ka qenë nën efektin e pijeve alkoolike dhe akti i vetëvrasjes është kryer në kohën kur familjarët e tij po shpjegonin në polici, rrethanat e ngjarjes për dhunën në familje.

”Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave ka nisur hetimin për dy punonjësit që ngarkohen me përgjegjësi për menaxhimin e situatës. Në hetim për shpërdorim detyre janë vendosur; A.Ç. në funksionin e ndihmës specialistit në Zyrën e Informacionit në DVP Durrës;  G.B. me detyrë Specialist i Policimit në Zonë. Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit menjëherë ka nisur hetimin disiplinor për të nxjerrë përgjegjësitë në zbatimin e procedurave standarde”,- thuhet në deklaratën për mediat.

Tonin Tuci ka varur vetën në dhomat e paraburgimit me lidhësen e tutave sportive. Policia ishte duke marrë deklaratat e familjarëve të tij të cilët e kishin denoncuar për dhunë në familje. Në momentin kur ka ndërmarrë aktin e rëndë 52 vjeçari ka qenë nën efektin e pijeve alkoolike. Viktima ishte shoqëruar nga policia, pasi familja e kishte denoncuar për dhunë.

Mësohet se ai ka dhunuar sistematikisht bashkëshorten dhe djalin. Sipas dëshmisë së dhënë nga vetë familjarët ai i dhunonte sistematikisht, sidomos kur ishte i pirë. Gruaja e kishte denoncuar edhe më herët po kishte kërkuar falje, e për këtë arsye ishte lënë i lirë. Mësohet se Tonin Tuci ishte i papunë dhe alkoolist.

E gjithë ngjarja ndodhi në kohën kur të afërmit e tij po jepnin dëshmitë e tyre në lidhje me ngjarjen për të cilën ishte shoqëruar Tonin Tuci. Ndërkohë Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave ka nisur hetimin për dy punonjësit të cilët ishin përgjegjës për menaxhimin e situatës në momentin që e futën në dhomat e shoqërimit 52-vjeçarin. Një prej tyre është ndihmës specialistit në Zyrën e Informacionit dhe tjetri Specialist i Policimit në Zonë. Tonin Tuci dhe familja e tij ishin nga Mirdita por prej vitesh jetonin në zonën e Spitallës në Durrës.

SHKARKO APP