Policia Rrugore nuk njeh autorizimin e-Albania, i bllokon patentën dhe lejen e qarkullimit drejtuesit të mjetit
Në emisionin BOOM ka mbërritur denoncim nga një drejtues mjeti i cili ka qenë duke lëvizur me makinë rreth orës 23:00 të mbrëmjes për arsye pune. Konform rregullave në fuqi drejtuesi i mjetit ka aplikuar te e-Albania dhe është pajisur me leje për të qarkulluar nga ora 22:00 e mbrëmjes deri në 06: 00 të mëngjesit . Por pavarësisht këtij fakti ai ndalohet nga policët e qarkullimit rrugor dhe i merret patenta dhe leja e qarkullimit.
“Më 8 shkurt pasi mbarova punën, pas orës 11 që është edhe fasha orare me leje, drejtohem për të çuar punëtorët pas pune. Më ndalon policia rrugore në Bllok. Më kërkojnë lejen e qarkullimit, patentën dhe lejen e drejtimit. Ia tregon, e shikon, e verifikon dhe më thotë që nuk e ke në rregull, nuk lejohen më këto leje.
Lejen e mora të e-albania si gjithmonë. Ia tregova lejen, isha i pajisur me maska. Më tha që nuk pranohet më kjo leje, do më vendoset gjobë për komision dhe që do më bllokohet leja e drejtimit dhe ajo e qarkullimit të makinës. Mi ka bllokuar, edhe makina është bllokuar në shtëpi. Gjithmonë me këtë leje kam lëvizur, vetëm më 8 shkurt nuk u pranua.”
Gazetarja u interesua në Policinë e Qarkullimit Rrugor.
“Edhe këto që kanë autorizim po kalojnë nëpërmjet procedurave të verifikimit, është përdorur kjo leje për arsye të domosdoshme ose për arsye pune, realisht për atë që ka dalë apo është përdorur për arsye të tjera, thjesht për ta shfrytëzuar për të dalë jashtë orareve të punës. Bllokohet deri në shpallje të vendimit të komisionit. Ka arsye pse këtu tërhiqen vetëm dokumentet dhe mbetet masë zero”, ka thënë punonjësja e policisë.
Por si mund ta kuptojë polici nëse ti ke dalë për punë pune ose për qejf? Përse merret kjo leje kur nuk njihet nga punonjësit e policisë?
Në policinë rrugore thuhet se duhen 10 ditë që të bëhen verifikimet e duhura në lidhje me këtë çështje. /Ora News