Policia serbe vret një person të lidhur me sulmin e qershorit para ambasadës izraelite në Beograd
Ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiç, tha të dielën se një person është vrarë nga policia serbe në një fshat të komunës së Novi Pazarit, të banuar me shumicë myslimane boshnjake.
Sipas tij, i vrari i lidhur me personin që u vra në muajin qershor para ambasadës izraelite në Beograd, pasi qëlloi me shigjetë dhe plagosi një pjesëtar të xhandarmerisë serbe.
Ministri serb tha se burri nuk pranoi të dorëzohej dhe qëlloi me armë në drejtim të policisë në fshatin Hotkovo të shtunën vonë. “Pjesëtarët e Njësisë së Posaçme Antiterroriste e neutralizuan atë”, u tha ministri Daçiç medieve serbe.
Policia tha se i vrari ishte shpallur person në kërkim për shkak të lidhjeve me burrin që u vra nga policia në Beograd me 29 qershor, pasi qëlloi një oficer policie në qafë me shigjetë para ambasadës izraelite. Sulmuesi që mbeti i vrarë, u identifikua si Milosh Zhujoviç, një serb 25 vjeçar i konvertuar në islam.
Burri që u vra të shtunën, të cilin autoritetet e identifikuan si Senad Ramoviç, “ishte në arrati që nga sulmi i qershorit”, tha ministri i Brendshëm serb.
Mediat lokale e përshkruajnë të vrarin si ndjekës të një linje të ashpër të besimit islam.
Senad Ramoviç, ishte plagosur dhe arrestuar në muajin prill të vitit 2007 si pjesë e një grupi që u përfshi në një konflikt të armatosur me policinë në fshatin Tërnavë afër Novi Pazarit. Në atë sulm ishte vrarë një pjesëtar i grupit dhe ishte plagosur një oficer policie. Katërmbëdhjetë pjesëtarë të grupit u arrestuan dhe 12 prej tyre u dënuan në vitin 2009 nga një gjykatë në Beograd me gjithsej 60 vjet heqje lirie, për planifikim të veprimeve terroriste dhe për vrasjen e politikanit boshnjak Muamer Zukorliç, i cili shërbente si kryetari i Bashkësisë Islame të Serbisë.
Senad Ramoviç ishte dënuar me 13 vjet e gjysmë heqje lirie.
Zëri i Amerikës