Policia shpeton nga mbytja dy vellezerit e vegjel ne Vlore

 

Dy vëllezër të mitur, rrezikuan të mbyteshin dje pasdite në ujërat detare të Vlorës, por falë ndërhyrjes në kohë të policisë lokale, u shmang një tragjedi.

Telefonata e nënës së dy të miturve, I.GJ., dhe A.GJ., respektivisht 15 dhe 13 vjeç, ngriti në alarm uniformat blu që mbërritën brenda pak minutash në bregdetin e Ujit të Ftohtë, aty ku ishin futur në det dy vëllezërit.

Teksa po notonin në thellësi, ata u larguan nga bregu aq sa, kthimi pas u shndërrua në një pamundësi. E shqetësuar, nëna e tyre, nxitoi të telefononte në numrin e policisë, çka shënoi edhe fillimin e operacionit për shpëtimin e dy të rrezikuarve.

Shërbimet e policisë, që mbërritën në vendin e ngjarjes, ndërhynë përmes një mjeti lundrues, duke nxjerrë dy fëmijët në breg dhe duke i transportuar më pas, drejt spitalit rajonal, ku ata morën ndihmën mjekësore.Kjo është ngjarja e parë që u shënua në këtë sezon veror, në ujërat detare në plazhet e Vlorës. Mësohet se, për parandalimin e këtyre ngjarjeve, policia dhe strukturat e tjera lokale, po bashkëpunojnë përmes një programi masash të përbashkëta.

SHKARKO APP