Policia, skema tronditëse sesi sajohen ngjarjet kriminale për azil

Policia e Shtetit dyshon se disa ngjarje janë të sajuara nga vetë qytetarët, me qëllimin e vetëm që të sigurojnë statusin e azilantit në një nga vendet perëndimore. Shkrimet në gazeta e portale të ndryshme me histori të sajuara e vërtetimet e falsifikuara nga shoqatat kundër gjakmarrjes, nuk pijnë më “ujë” në vendet e BE-së, që të japin statusin e azilantit shtetasve shqiptarë. Kështu shumë prej tyre kanë nisur të sajojnë ngjarje të ndryshme, duke kallëzuar në polici se janë kërcënuar, kanë tentuar t’i vrasin apo i kanë vendosur eksploziv makinës së tyre, apo apartamentit teksa u zbulua edhe rasti më i fundit i Ervis Imerit. Thuajse mediat on-line dhe më pas gazetat raportuan ngjarjen, referuar policisë se personit në fjalë i ishte bërë atentat.  Sipas policisë, ngjarjet me eksplozivë janë më të shpeshta në gjithë territorin e Shqipërisë dhe në shumë raste eksplozivi nuk shpërthen apo nuk shënohen viktima. Burimet thonë se, ata fillimisht ata që sajojnë ngjarjet blejnë një numër celulari në treg të zi dhe i dërgojnë mesazhe kërcënuese numrave të tyre personal. Me ardhjen e këtyre mesazheve, ata bëjnë kallëzim në polici se ndihen të kërcënuar dhe disa ditë më vonë ose edhe muaj, sajojnë vendosjen e eksplozivit në makinë, derë të apartamentit apo hyrje të banesave private. Disa prej këtyre eksplozivëve, i shpërthejnë por në shumicën e rasteve ata i gjejnë vetë personat dhe njoftojnë policinë për të bërë çaktivizimin. Të gjitha këto veprime dokumentohen nga policia dhe qytetari i përdor ato për të kërkuar azil në vendet e BE-së.  Sipas policisë, deri më tani janë identifikuar disa raste brenda pak muajve në Tiranë, ku qytetarët pasi kanë sajuar ngjarjen, të fitojnë azil jashtë Shqipërisë, janë shpallur në kërkim, sepse janë larguar së bashku me familjen jashtë Shqipërisë. Për këto persona, policia thotë se janë njoftuar edhe autoritet përkatëse ku ata kanë kërkuar azil dhe pritet që të depërtohen në Shqipëri ku edhe do të arrestohen e procedohen penalisht.

Ervis Imeri  mëngjesin e 12 korrikut alarmoi policinë e shtetit, pasi njoftoi se poshtë makinës së tij të marrë me qera, kishte konstatuar disa kallëpe tritoli. Bëhej fjalë për rreth 3 kallëpe me peshë 200 gram secila që u çaktivizuan nga policia.  Në vend ngjarje ekspertët e forcave RENEA, pasi bënë këqyrjen e pakos së montuar poshtë makinës bën çaktivizimin e saj, ku u gjetën përveç 3 kallëpve eksplozivi, edhe detonatorin e dy bateri 9 volt që do aktivizonin shpërthimin. Gjatë marrjes, në pyetje për këtë ngjarje, 31 vjeçari Imeri mohoi të kishte problem me njeri. Agjentët e krimeve në drejtorin e Policisë së Tiranës pas marrjes në pyetje dhe veprimeve operative që kryen gjatë kësaj kohe në teren, arritën të zbulojnë se Ervis Imeri është një nga të dyshuarit e grabitjes me armë të një çifti të moshuarish në Tepelenë. Ngjarje kjo e ndodhur mesnatën e 31 marsit të këtij viti në lagjen “Demokracia” në Tepelenë, ku 4 persona të maskuar dhe të armatosur, nën kërcënimin e armës dhe dhunës, grabiten banesën e të moshuarit Naim Çiça.  Sipas akuzës, grabitësit, pasi kanë rrahur çiftin Çiça dhe i kanë grabitur atyre shumën prej 5 mijë eurove si dhe disa sendeve me vlerë. Më pas ata janë larguar me një makinën që sipas policisë grabitësit e kishin vjedhur për ta braktisur dhe më pas janë larguar me makinë tjetër. Policia thotë se 31 vjeçari Imeri ka qenë një nga grabitësit e kësaj ngjarje dhe për këtë fakt tashmë i është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg” nga Gjykata e Gjirokastrës. Për këtë ngjarje, janë shpallur në kërkim edhe tre persona të tjerë.  Ndërkohë policia dyshon se vendosja e eksplozivit në makinën e tij të marr me qera në Tiranë është e sajuar nga ky shtetas, për arsyen e vetme të largimit nga Shqipëria. Pavarësisht këtyre dyshimeve, burimet nga policia thonë se po vazhdojnë hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes me ndihmën e Laboratorit të Policisë Shkencore.

SHKARKO APP