Policia vullnetare, Kuko: Jo spiunë lagjesh, ja kriteret e pranimit
”Jo spiunë lagjesh”, kështu e cilëson qeveria njësinë për policinë vullnetare. Zv/ministrja e Brendshme, Romina Kuko në një konferencë për shtyp, ka folur për detajet se si do të funksionojë policia vullnetare. Kuko ka theksuar se ato nuk janë ”spiunë” siç disa e kanë etiketuar ndryshe. Kuko ka sqaruar se këta policë do të marrin pjesë në ngjarje të dinamikës së përditshme në komunitet dhe për ta thjeshtësuar këtë, zv.ministrja ka dhënë një shembull konkret.
Për nisjen e funksionimit të kësaj njësie të re të policisë nuk ka ende një datë apo numrin e kandidatëve që do të pranohet, megjithatë sipas Kukos do të jetë një kuotë e caktuar që do të varet nga numri i popullsisë dhe territori ku ato do të japin një shërbim. Duke u ndalur tek kushtet, që aplikanti duhet të plotësojë, Kuko më tej deklaroi se nuk duhet të jetë i përjashtuar nga radhët e policisë dhe nëse është larguar, do t’i bëhet një “Vetting” mbi motivet e largimit dhe pastërtinë e figurës së tij.
”Nëse do marrin pjesë në një ndeshje futbolli, policët vullnetarë do të jenë krah efektivëve të policisë për t’i ndihmuar ato në futjen në stadium të policëve. Në rast të një aksidenti rrugor, ai nuk do të dublojë punën e policisë, por mund të kryejnë veprimet e para si lajmërimi i policisë apo të japë ndihmën e parë. Nuk do të marrin pjesë në aktivitete masive si protesta sepse për raste të tilla ka protokolle të veçanta. Mund të kryejnë veprimet e para, është një ndihmesë dhe angazhim vullnetar për të mirën e komunitetit”.
Kriteret
1-Kriteret e përgjithshme të pranimit të shtetasit në shërbimin e policimit vullnetar janë, si më poshtë vijon:
a) Të jetë shtetas shqiptar;
b) Të ketë zotësi të plotë juridike për të vepruar;
c) Të mos jetë i përjashtuar nga Policia e Shtetit apo i larguar nga administrata publike;
ç) Të ketë përfunduar arsimin e mesëm;
d) Të mos jetë i dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje;
dh) Të jetë i moshës nga 18 deri në 65-vjeç, në gjendje të mirë shëndetësore dhe i aftë fizikisht për të kryer detyrën.
2-Kriteret e veçanta të pranimit të shtetasit në shërbimin e policimit vullnetar janë, si më poshtë vijon:
a)Të ketë përfunduar trajnimin e detyrueshëm me vlerësim pozitiv, si dhe të jetë i certifikuar nga Akademia e Sigurisë;
b)Të jetë i pajisur me vërtetimin e besueshmërisë.
Puna që do bëjë
1. Shërbimi i policimit vullnetar funksionon në mbështetje të strukturave vendore të Policisë së Shtetit dhe bashkëpunon me këto të fundit me qëllim:
a) sigurimin dhe garantimin e rendit publik në aktivitetet me karakter masiv, si tubime, koncerte, festivale, aktivitete sportive dhe organizime fetare;
b) dhënien e ndihmës për menaxhimin e trafikut rrugor në qendrat urbane dhe rurale;
c) dhënien e ndihmës për rritjen e sigurisë publike pranë institucioneve arsimore;
ç) kontrollin e territorit, mbështetjen e patrullimit policor për parandalimin e krimit dhe ndërhyrjen ndaj shkeljeve të ligjit;
d) përballimin dhe menaxhimin e situatave të emergjencave civile, fatkeqësive natyrore, si dhe operacioneve të kërkim-shpëtimit me karakter masiv.
2. Polici vullnetar e kryen veprimtarinë e tij nën mbikëqyrjen e punonjësit të Policisë së Shtetit, i cili caktohet nga drejtuesi i strukturës vendore.
3. Kryerja e shërbimit të policimit vullnetar është i papajtueshëm me funksionet e gjyqtarit, prokurorit, përmbaruesit gjyqësor, drejtuesit në strukturat politike, punonjësit në institucionet e sigurisë kombëtare apo publike, të shërbimit të provës, të policisë së burgjeve dhe të Gardës së Republikës.