Policia zbulon bandën e hajdutëve në Lezhë, mes tyre babë e bir. Sekuestrohen armë zjarri, municion, thika e dylbi

Policia e Lezhës ka vënë në pranga babë e bir, autorë të dyshuar të disa vjedhjeve, teksa ka shpallur në kërkim një tjetër dhe ka proceduar penalisht 1 shtetas.

Sekuestrohen dy armë zjarri, armë gjahu e sportive, armë të ftohta, municion luftarak, dylbi dhe sende të tjera të dyshuara të vjedhura.

Shërbimet e Policisë Lezhë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe zbardhjen e vjedhjeve të pronës të ndodhura më parë, si dhe kapjen e vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve, kanë organizuar punën duke finalizuar operacionin “Shëtitësit e natës”, si rezultat u bë e mundur arrestimi shtetasve: S.K., 67 vjeç, A.K., 25 vjeç,(babai dhe djali), banues në Ishull Shëngjin, Lezhë.

U procedua penalisht shtetasi S.Q., 21 vjeç, si dhe u shpall në kërkim policor shtetasi M.K.,27 vjeç, banues në Shëngjin.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasit e lartpërmendur në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në Ishull Shëngjin, Ishull Lezhë dhe Shëngjin, kanë vjedhur në disa banesa vegla punë dhe sende të tjera.

Po në vijim të veprimeve hetimore, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontrolle në banesat e tyre, ku nga kontrolli i ushtruar në banesën e shtetasve S.K., dhe A.K., janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri automatik me 4 krehra, një pistoletë me krehër me fishekë, një armë e ftohtë thikë, përforcues grushti, doreza dhe vegla punë të dyshuara të vjedhura.

Gjithashtu, shërbimet e Policisë, nga kontrolli i ushtruar në banesën e shtetasit V.Q., gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë sportive, një armë gjahu dhe dylbi.

Vijon puna intensive për dokumentimin e plotë të vjedhjeve të tjera të ndodhura më parë ku dyshohet se janë të implikuar shtetasit e lartpërmendur.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.

SHKARKO APP