“Politika e Shqipërisë në linjë me BE-në”, Rama me Kallas: Folëm për mbylljen e negociatave deri më 2027

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një konferencë për shtyp me shefen e diplomacisë së BE-së, njëherësh nënpresidente e Komisionit Europian, Kaja Kallas, ku foli edhe për tematikat e bisedimeve me dyer të mbyllura.

Në nisje të fjalës së tij, Rama falenderoi Kallas që mbajti fjalën e saj për vizitën në Shqipëri. Më tej Kryeministri tregoi se gjatë takimit me të  u diksutua ambicia e Shqipërisë për mbylljen e negociatave deri në vitin 2027 dhe anëtarësimin në 2030.

Kënaqësi që të kemi për herë të parë nënpresidenten e Komisionit Europian Kaja Kallas. Më vjen jashtëzakonisht mirë që më në fund e mbajte fjalën, e kishe dhënë më parë fjalën si përfaqësuese e vendit tënd por edhe e vendeve tona. Kemi pasur një vlerësim pozitiv mes nesh, nuk ka asnjë problem apo çështje të hapur mes nesh, përkundrazi kemi ravijëzim të plotë në të gjitha aspektet. Kjo tregohet edhe nga politika e jashtme e Shqipërisë, që është 100% e linjëzuar me atë të BE-së.
Është folur për ambicien e Shqipërisë për integrimin në BE, ambicien për mbylljen e negociatave në vitin 2027, për rajonin dhe problematikat në rajon. Në një moment që ne e kemi të domosdoshëm unitetin dhe stabilitetin e rajonit, ku padyshim të gjitha vendet kanë si synim anëtarësimin në BE. Dhe ku ky desitinacion është një pikë referimi e dobishme dhe ndikuese për të ndihmuar në politikën e ditës dhe hapat që duhet të hedhim për t’u anëtarësuar në BE.

Thënë të gjitha këto, kemi prekur me nënpresidenten dhe çështjen e bashkëpunimit strategjik. Siguria është një temë gjithmonë e më qendrore në jetën e përditshme dhe në politikën e BE. Sikurse e kam ndarë dhe pak kohë më parë me publikun, në një anketë të fundit të bërë me BE-në, për popullaritetin e BE-së. Rezulton se pikërisht që nga viti 1983, mbështetja për BE -në nga popujt që e përbëjnë është më e lartë ndonjëherë”, tha Rama.

Sot Kallas u prit nga kryeministrin Edi Rama, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, zëvendëskryeministrja Belinda Balluku dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë, ndërsa pritet të ketë edhe një takim me presidentin Bajram Begaj.

SHKARKO APP